Rregullim më i rreptë i përdorimit të trotinetëve elektrikë – të lejohen vetëm për persona mbi 18 vjeç dhe me shpejtësi maksimale deri në 20 kilometra në orë, ndërsa shkeljet do të ndëshkohen më ashpër, përfshirë gjoba dhe sekuestrim të përkohshëm të mjetit deri në 30 ditë. Këto janë ndryshimet kyçe që parashihen në Ligjin për sigurinë në komunikacion.
Sipas propozimit, trotinetët duhet të lëvizin kryesisht në korsitë e biçikletave, ndërsa në mungesë të tyre në trotuar me shpejtësi shumë të ulët deri në 6 km/h, ndalohet ngasja me dy persona, pa duar, me një rrotë ose në gjendje të dehur, ndërsa gjobat variojnë nga 100 deri në 275 euro dhe përfshijnë edhe konfiskim të mjetit në raste të caktuara, përfshirë edhe për prindërit e të miturve. Propozimi u shqyrtua në Komisionin për Mbrojtje dhe Siguri, por seanca u ndërpre për konsultime shtesë me ministrinë përkatëse, Ministrinë e Brendshme dhe për harmonizim me standardet e Bashkimit Evropian, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se mund të shqyrtohet edhe ndalimi i plotë i përdorimit të tyre.
Sipas statistikave të paraqitura në Kuvend, nga viti 2024 deri në maj 2026 janë regjistruar mbi 2.300 aksidente ku kanë qenë të përfshirë përdorues të mopedeve, motoçikletave dhe trotinetëve elektrikë, me 46 viktima dhe qindra të lënduar rëndë, ku mbi 70% e të aksidentuarve janë të mitur.
