Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga zëvendës kryetari i parë i komisionit, Fadil Demaku, raportoi Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Republikës së Kosovës, Fitim Shishani, lidhur me punën e Inspektoratit për vitin 2014.
Fillimisht Shishani gjatë raportimit të tij ka folur për të arriturat, sfidat dhe reformat në IPK që e kanë karakterizuar këtë institucion gjatë vitit të kaluar.
Shishani ka vlerësuar se IPK-ja ka arritur me sukses të trajtojë të gjitha ankesat e pranuara dhe me një efikasitet të lartë t’i përcjellë në Policinë e Kosovës apo Prokurori për trajtim të mëtutjeshëm.
Ai sqaroi se gjatë vitit 2014, 305 punonjës të PK-së kanë qenë subjekt hetimi nga IPK-ja, ndërsa janë ndërmarrë këto masa dhe rekomandime: 20 arrestime dhe 64 rekomandime për suspendime.
132 raste janë dërguar me kallëzim penal në Prokurori për të cilat është ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarve për 28 kallëzime penale, tha ai.
