Rokas: RMV në drejtimin e duhur kundër korrupsionit! Ekspertët skeptikë: Pa integrim në BE, s’ka luftë efektive kundër korrupsionit

TË FUNDIT

Ndonëse sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit vendi ynë nuk shënon progres në luftën kundër korrupsionit, megjithatë euroambasadorin Michalis Rokas shprehet otimist dhe thotë se Maqedonia e Veriut është në rrugën e duhur.

“Lufta kundër korrupsionit u godit fortë në vitin 2023 me amendamentet të Kodit penal dhe mendoj se kjo çështje duhet të adresohet. Parlamenti miratoi një iniciativë për ndryshimin e Kodit penal, gjithashtu para kësaj jave u formua përbërja e re e Komisionit për hetime financiare dhe konfiskim të aseteve publike, kështu gjithë kjo është inkurajuese, gjithashtu kjo na jep shpresën të besojmë se gjërat kanë filluar të ecin në drejtimin e duhur”, deklaroi Ambasadori i BE-së në RMV, Mihails Rokas.

Por ekspertët janë skeptik për avancimin e Maqedonisë në luftën kundër korrupsionit. Disa prej tyre thonë se si shtet kemi stagnim të plotë dhe nuk ka luftë të njëmend kundër korrupsionit. Sipas analistit Xhelal Neziri zgjidhja është në integrimet e plotë të vendit në BE sepse siç thotë Maqedonia e Veriut nuk ka kapacitet vetë ta luftoj korrupsionin.


“Nuk pres të ketë rezultate të mira përderisa nuk ka proces të negociatave për aderimin në BE. për shkak se ky proces është njëlloj përmirësimi i kapaciteteve institucionale të vendit, jo vetëm për të luftuar korrupsionin por për ta bërë sistemin më funksional dhe më në shërbim të qytetarit”, u shpreh analisti Xhelal Neziri.

Ndodhemi në gjysmën e poshtme me më pak se 50 pikë, me nota të ulëta për sundimin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut, që janë çelsi kundër korrupsionit, thotë ish-kryetarja e KShPK, Biljana Ivanovska. Ajo nuk sheh indikatorë që çojnë në përmirësimin e situatës, duke përmendur rastin e vjetshëm me antikorrupsionin dhe përzgjedhjen e gjyqtarëve.


“Për shembull ngjarja e fundit në Këshillin e prokurorëve, kur kishte iniciativë që intervistat për përzgjedhjen e gjyqtarëve të jetë transparentë përpara publikut. Anëtarët e Këshillit me shumicë votash e votuan të kundërtën. Ende nuk jemi të pjekur si shoqëri, sepse nëse dikush duhet t’i dal ballë korrupsionit, ndikimit të klientalizmit, nepotizmit, ajo është transparenca”, theksoi Biljana Ivanovska – ish-kryetare e KSHPK.

Për vitin 2025, Maqedonia e Veriut ka marrë sërish 40 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, pa shënuar përparim thelbësor, edhe pse formalisht është renditur katër vende më lart, në pozitën e 84-të. Ky përmirësim lidhet më shumë me përkeqësimin e rezultateve të disa shteteve të tjera, thotë kryetari i Transparency internacional, Bllagoja Pandovski.