Ne nuk duhet t’i referohemi vetëm me nostalgji Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila ishte shembull unik i përfundimit të një konflikti. Ka shumë marrëveshje në histori, por ajo që njerëzit duan vërtetë është punë, arsim të mirë për fëmijët e tyre dhe shpresë për të ardhmen. Kjo duhet të jetë një hap më tej nga Marrëveshja e Ohrit dhe ky është detyrimi ynë, porositi ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lord Xhorxh Robertson në fjalimin e tij në konferencën me rastin e 20-të vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
“Mendoj se bota, Evropa dhe Ballkani e kanë nënvlerësuar mënyrën në të cilën Marrëveshja e Ohrit jep një shembull, një model për zgjidhjen e konflikteve. Ne nuk mendojmë se ajo është e përsosur dhe do të ketë akoma njerëz që do të mendojnë se u kemi dhënë atyre shumë ose kemi marrë shumë pak. Të dyja këto pikëpamje janë në anën e gabuar të historisë. Konsensusi, kompromisi dhe ekuilibri, toleranca mund të mos jetë moderne në një botë autoritare, por ato janë themeli i demokracive të begata, të kënaqshme dhe paqësore që shumica e njerëzve i duan dhe dëshirojnë”, tha Robertson, i cili ishte bashkëthemelues i Marrëveshjes së Ohrit.
Ai gjithashtu theksoi anëtarësimin në NATO, i cili mundëson, thotë ai, një të ardhme të sigurt për vendin, por edhe gatishmërinë për anëtarësimin në BE.
Ai gjithashtu i bëri thirrje Bullgarisë të heqë bllokadën në rrugën e integrimit evropian të vendit.
“Kur Bullgaria kërkoi anëtarësimin në BE dhe NATO, ata kishin mik të mirë tek unë dhe në selinë e NATO -s. Bullgaria si fqinje kishte një përfitim të madh nga kjo Marrëveshje e Ohrit. Nëse konflikti do të kishte vazhduar në mënyrën tradicionale siç përfundon në Ballkan, Bullgaria do t’i kishte ndjerë ato valë dhe do t’i ndiejë edhe sot e kësaj dite. BE -ja e sotme përbëhet nga vende që kanë qenë armiqësore për vite e shekuj. Por triumfi i epokës sonë është se këta armiq sot ulen së bashku në këtë bashkim të jashtëzakonshëm të vendeve të lira dhe të integruara. Maqedonia e Veriut meriton të jetë atje dhe shpresoj që Bullgaria të dëgjojë kërkesat unanime të miqve të tyre dhe të heqë bllokadën ndaj Maqedonisë së Veriut”, apeloi Robertson, i cili tregoi se mbetet i përkushtuar për të mbështetur vendin si pjesë e Grupit të Ohrit për ardhmëri prosperuese.
