Rizgjedhen 5 prokurorë për ndjekje të krimit! VMRO-DPMNE: Me këta prokurorë, krimi në vend lulëzon

TË FUNDIT

Këshilli i prokurorëve zgjodhi 5 prokurorë për të ndjekur korrupsionin dhe krimin e organizuar, gjegjësisht  u rizgjodhën prokurorët e njëjtë të cilëve në shkurt u kishte përfunduar mandati. Kryetari i Këshillit, Antonio Jolevski, tha se personalisht tek ai nuk ka pasur ndikim politik në zgjedhjen e prokurorëve, dhe se një gjë të tillë nuk e ka dëgjuar as nga kolegët e tij.

 “Të gjithë shkuam me bindjet tona. Kryesisht doli se pajtohemi të gjithë se të njëjtit duhet të vazhdojnë t’i përfundojnë lëndët që kanë filluar. Shumica e kandidatëve ose 4 prej tyre, janë me 1 mandat që do të thotë se është periudhë e shkurtër që të përfundojnë atë që kanë nisur, prandaj është mirë që të kenë edhe mandat të dytë”, tha Antonio Jolevski, kryetar i Këshillit të Prokurorëve.

Prokurorët që morën edhe një mandat janë Maria Gjorgjieva, Valentina  Bilsimovska, Engjëllushe Kadriu Lleshi, Ivana Trajçeva dhe Suzana Mirçeska Kuzmanovska. Sipas VMRO-DPMNE-së, prokurorët e rizgjedhur janë fajtorët kryesorë që vendi në vlerësimet e fundit renditet si vend me krim të lartë.

 “Këta janë të njëjtit prokurorë që Den Donçevin e lanë të ikte, lëshuan në liri dhe hoqën dorë nga ndjekja e kriminelëve të dënuar, në mënyrë misterioze liruan nga burgu pjesëmarrës të aksidenteve rrugore, nuk hetuan dyshimet bazë për keqpërdorime të Zoran Zaevit dhe gjithë ekipit të tij, për rastin Reket dhe dhjetëra skandale të tjera”, pohoi Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE.

Megjithatë Jolevski theksoi zgjedhjen e prokurorëve e kanë bërë nga rezultatet e deritanishme dhe nga ajo që është prezantuar në seancë. Edhe sipas prokurorit publik republikan, Ljubomir Joveski, bëhet fjalë për prokurorë profesionistë dhe të pavarur të cilët me sukses i kryejnë punët e besueshme.

“Nuk mendoj se e kemi dobësuar prokurorinë ose diçka tjetër…Le të vazhdojnë me lëndët, të shohim, t’i përfundojnë lëndët që i kanë nisur, mos t’i ndërpresim”, tha Antonio Jolevski, kryetar i Këshillit të Prokurorëve.

Prokurorë të tjerë të cilët konkurruan, por nuk  morën shumicën e votave janë Arsim Ademi, ish prokurorja speciale Elizabeta Josifovska, Natasha Saramandova dhe Zllatko Bikovski, ndërsa prokurorja Imran Osmani, mori vlerësim negativ nga prokuroria e lartë për shkak se nuk i përmbushi kushtet.