Rivendoset linja ajrore Sofje-Shkup, gazetarët “out”! Të privilegjuar vetëm “Tik-tok” kameramanët e Qeverisë

TË FUNDIT

Gazetarët dhe kameramanët u lanë qindra metra larg pistës së aeroportit me rastin e fluturimit të parë nga Sofja drejt Shkupit, ndërsa të privilegjuar për të xhiruar nga afër ishin vetëm kameramanët e Qeverisë. Nga Shoqata e Gazetarëve thonë se sjellja e këtillë është e papranueshme.

“Duhet kuptuar se ata janë atje në detyrë me qëllim që të raportojnë në emër të opinionit publik dhe se organizatorët e ngjarjes duhet të sigurojnë kushte adekuate për punë. Nga ana tjetër, kameramanët qeveritarë dhe zyrtarët për media, nuk guxojnë të kenë status të privilegjuar, sepse në këtë mënyrë shndërrohen në konkurrencë për mediat”, deklaruan nga Shoqata e Gazetarëve.

Në shenjë revolte, kameramanët dhe fotoreporterët para se të fillojë konferenca për media, dolën para ministrit për transport dhe lidhje, Bllagoj Boçvarski.

“Kërkojmë që të na siguroni kushte të njëjta për punë si për fotoreporterët dhe kameramanët tuaj. Nëse doni të dukeni bukur, nëse doni që t’ju incizojnë vetëm ata, e jo ne, atëherë mos dërgoni ftesa, por le të dimë se në këtë shtet nuk ekzistojnë media, i keni PR-qendrat tuaja dhe vazhdoni ashtu”, tha Furkan Saliu, gazetar.

“Dua të kërkoj ndjesë për çdo lëshim të paqëllimshëm që ka ndodhur gjatë takimit të sotëm mes nesh dhe kolegëve tanë nga Bullgaria. Pikërisht për këtë arsye, duke pasur parasysh se ky është fluturimi i parë nga Sofja deri në Shkup, ne thamë se i hapim dyert dhe ju siguroj se do të ketë mundësi dhe fluturime të tjera ku do t’i korrigjojmë lëshimet e këtilla, edhe si Qeveri, edhe si institucione në çdo aspekt”, tha ministri për Transport dhe Lidhje, Bllagoj Boçvarski.

Gazetarët nuk ishin ftuar as në takimin e sotëm me operatorët turistikë i cili u mbajt në Klubin e Deputetëve. Ndryshe, sot u nënshkruan disa memorandume mes Sofjes dhe Shkupit, duke krijuar mundësi të shumta për biznes. Linja ajrore do të hapet më 27 mars.