Ritkhehen protestat në Konjare të Epërme! “Alarmante u bë puna e koronës, por 200 nxënës duan ndihmë”!

TË FUNDIT

Pandemi dhe gjendje e jashtëzakonshme, por kjo nuk i ka penguar banorët të tregojnë pakënaqësinë për gërryerjet e tokës që po bëhen rreth një dekade në Konjare të Mesme.

Banorët kishin dalë për të penguar punimet e ekskavatorëve të kompanisë “Progres Kompani”, por siç thonë, disa prej tyre ishin sulmuar me veturë nga pronari i kompanisë punuese.

Sipas deklaratave të banorëve, sulmi kishte ndodhur gjatë rrugës dhe prapa tyre kishte qenë edhe policia.

“Kemi protestë të paorganizuar kundër gërryerjes së tokës në fshatin Konjare e Mesme. gjatë rrugës u ndeshëm me kordonin e njerëzve, zotëriun Qazim Osmanoviq me “Audi” më sulmuan me veturë në këmbë. Këtu kam edhe dëshmi se më ka sulmuar. Po presim Ndihmën e Shpejtë kurse policia që vinte prapa nesh nuk dëshironte të bënte procesverbal. Nuk dëshiron të flasë me ne, por vetëm me zotëriun që gërryen rërë”, deklaroi Mirsad Gërliç – protestues i sulmuar.

“Ai më sulmoi me veturë, si mos ta lajmëroj.Ne ishim përpara, ai erdhi drejt nesh. Jo, jo, me qëllim. Doli prej veturës dhe bërtiste. A e pe si na u gjuajt”, deklaroi Shkëlqim Musliu – protestues i sulmuar.

Pronari i “Progres Kompani”, Qazim Osmanoviq mohon se ka sulmuar banorët dhe thotë se rastin e ka parë edhe policia.

“Jo, jo nuk ka lidhje ajo, janë gënjeshtra. Edhe policia është këtu. Fatmirësisht që edhe policia ishte afër nesh”, tha Qazim Osmanoviq – pronar i “Progres Kompani”.

Pyetëm në Ministri të Punëve të Brendshme, por nga atje informuan se nuk është raportuar se në këtë zonë ka pasur ndonjë incident.

Njëri nga protestuesit i revoltuar përsëriti kërkesën që Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë sa më shpejt t’i ndërprenë punimet dhe t’u dalin në ndihmë banorëve dhe 200 nxënësve të Konjares së Mesme.

“Deshëm të dërgojmë një apel të shkurtër deri te Qeveria e Maqedonisë së Veriut me na ndihmu, siç kemi kërkuar disa herë si fshatarë të Konjares së Mesme. ne kërkojmë ndihmë nga Ministria e Ekonomisë dhe të gjitha ministritë tjera që janë kompetente. Ndoshta u bë alarmante shumë kjo korona, por këtu 200 nxënës të Konjares së Mesme, kërkosh nuk merr iniciativë për ta dëgjuar popullin”, deklaroi Halim Emini – protestues.

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi për TV 21 tha se procedura për Konjaren ka ngecur në Kuvend, pasi nuk u miratua Ligji për lëndë minerale me të cilin Qeveri fitonte të drejtën që në mënyrë të njëanshme të shkëpusë koncesionet nëse punimet në terren rrezikojnë shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve. Kuvendi është i shpërbërë, kurse për gërryerjet në Konjare janë realizuar një sërë protestash dhe TV 21 realizoi edicion special me “Click Oda Konjare”.

Ditë më parë Qeveria shkëputi koncesionin për gurëthyerje në Çegran, por ministri Bekteshi tha se aty janë evidentuar një sërë shkeljesh të marrëveshjes nga koncesioneri dhe prandaj kishte hapësirë të shkëputet koncesioni.