Risi për caktimin e termineve për kurorëzim, a do të jetë në mënyrë elektronike?

TË FUNDIT

Paraprakisht për caktimin e terminit për kurorëzim të fejuarit duhej të kishin certifikatë nga libri amë i të lindurve, letërnjoftime të vlefshme, të caktojnë termin dhe kur të vijë termini, me dy dëshmitarë të regjistrohen në librin amë të të martuarve. Megjithatë, tani e gjithë procedura do të duket si vijon:

“Risia është se tani po angazhohet një referent ofiqar për t’i nxjerrë dokumentet e të fejuarve, ndërsa ata vetëm duhet të caktojnë termin, të paguajnë pas çka e marrin dokumentin”, deklaroi Neat Elmazi – Drejtoria e librave amë.

Sipas udhëheqësit të Drejtorisë së librave amë, kjo risi bëhet me qëllim që të lehtësohet procedura në këtë periudhë kur është zmadhuar interesi për kurorëzime me lehtësimin e masave. Në nivel javor ka nga 30, përkatësisht në nivel mujor nga 120 kërkesa për kurorëzime. Për të gjithë procesin e digjitalizimit biseduam edhe me ministrin për shoqëri informatike, nëse mendojnë për kërkesë elektronike për caktimin e terminit për kurorëzim? Ai thotë se gjatë korrikut, bashkëshortët e ardhshëm do të mund të caktojnë termin edhe në mënyrë elektronike.

“Ne si Qeveri jemi të gatshëm në tërësi ta zbatojmë procesin e digjitalizimit. Kjo do të thotë t’u mundësojmë institucioneve të kyçen në këtë proces, të shkëmbejnë të dhëna elektronike, në periudhën që vijon të bëhen ndryshimet e domosdoshme ligjore, disa tashmë janë realizuar ndërsa dokumenti elektronik është kaq i rëndësishëm sa edhe dokumenti që merret me prani fizike”, tha Jeton Shaqiri – ministër për Shoqëri Informatike dhe Administratë.

Deri në fund të këtij muaji do të jenë gati disa nga shërbimet elektronike në bashkëpunim me MPB-në, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Ekonomisë dhe DAP-in, siç është caktimi i terminit për letër njoftime etj,. Këto shërbimet në periudhën e ardhshme do t’i publikojnë ministritë në fjalë, si shërbime të digjitalizuar. Deri në fund të verës do të jenë gati 136 shërbime digjitale. Regjistrimi në shkolla dhe çerdhe tashmë bëhet në mënyrë digjitale.