Dje në një objekt të vogël komercial në fshatin Kërshla të Vinicës është regjistruar rast pozitiv i murtajës afrikane të derrave. Vatra e sëmundjes është në rajonin e Koçanit, Vinicës dhe Çeshinovës-Oblleshevës. Por, kjo nuk do të thotë se të gjithë derrat janë të infektuar, por edhe po të ketë vetëm një derr të sëmurë, atëherë vendi ku është zbuluar rasti, regjistrohet si vatër.
“Në radius prej 3 kilometrave po bëhet largimi i padëmshëm i të gjithë derrave, pa marrë parasysh nëse janë të sëmurë ose jo. Kjo është sipas normave ndërkombëtare dhe bëhet në të gjithë botën, me qëllim që të parandalohet përhapja e mëtutjeshme të virusit. Për këtë virus deri sot, nuk ka as vaksinë, e as ilaç”, tha Nikollçe Babovski, drejtor i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari.
Në zonën e mbikëqyrjes prej 10 km, derrat dërgohen në thertore. Po bëhet përpunimi teknologjik i mishit dhe në mënyrë termike po shkatërrohet virusi. Rasti i parë në vendin tonë është regjistruar më 06 janar në fshatin Dramçe. Deri më tani ka 6 raste. Zona e rrezikut të lartë është drejt kufijve me Bullgarinë dhe Serbinë. Më të rrezikuara janë fermat e vogla që nuk i zbatojnë masat e nevojshme të bio-sigurisë.
“Agjencia për Ushqim dhe Veterinari u apelon të gjithë mbarështuesve të derrave në vend, që t’i denoncojnë me kohë rastet e dyshimta dhe rastet e ngordhjes së derrave të tyre te veterinarët zyrtarë, gjegjësisht inspektorët e AUV ose te shoqatat më të afërta veterinare”, tha Babovski.
Me qëllim të ballafaqimit sa më të lehtë me murtajën afrikane të derrave, nga AUV me apel që pronari të paraqitet me kohë për të marrë ndihmë financiare. Në rast se nuk raportojnë, nuk u takon kompensim nga shteti i cili paguhet përmes Buxhetit. Në rajon, kjo sëmundje është e pranishme tashmë një kohë të gjatë. Me regjistrimin që është bërë në shtator, prej gjithsej 7.640 fermave, janë regjistruar 140 mijë derra.
