Fëmijët me nevoja të veçanta kanë qëndruar 2 muaj në shtëpi. Por për fat të mirë, tek ata nuk është vërejtur ngecje në zhvillim. Kjo ka ardhur si rezultat i angazhimit të prindërve dhe faktit se fëmijët kanë pasur mundësi të lëvizin edhe gjatë orës policore.
Fatbardha Curri, gazetare:
“Çdo fëmijë kur vjen në qendrën “Dua ylberin” duhet t’i dezinfektojë duart me dezinfektuesin që qëndron në hyrje të qendrës. Më pas, trajnueset apo psikologet që qëndrojnë këtu, na i japin maskat për t’i vendosur dhe kështu fëmijët janë të gatshëm për t’iu nënshtruar trajnimit”.
Këto janë disa nga masat që i ka ndërmarrë kjo qendër e trajnimit të fëmijëve me nevoja të veçanta, pasi Qeveria u dha rekomandim qendrave për edukim special të funksionojnë me protokoll të veçantë.
Maskat fëmijët i mbajnë edhe gjatë trajnimit, për shkak të sigurisë, sqaroi trajnuesja Edlira Destani.
“Secila terapiste e ka dhomën e vet, ka tavolinën e vet të punës. Largësia e tavolinës, madhësia e tyre është standarde, do të thotë e ka atë largësinë prej 1 metrave gjithsesi maskat mbahen për siguri dhe një shishe dezinfektuese mbahet vazhdimisht sepse lloji i punës është i tillë”, tha Edlira Destani, trajnuese në “Dua ylberin”.
Ndryshime ka edhe në mënyrën se si organizohen orët trajnuese. Ato janë individuale dhe nëse fillojnë në ora 15:00, tjetra fillon në ora 15:10 minuta. Kjo bëhet me qëllim që prindërit e fëmijëve të mos ndeshet në korridore. Orët grupore janë larguar komplet.
“Orët grupore assesi, i kemi hequr komplet nga përdorimi. Jo sepse është e rrezikshme, por duam të jemi në përputhje me normativat, me rregulloret që institucionet përkatëse i kanë lëshuar për të gjithë”, tha Edlira Destani, trajnuese në “Dua ylberin”.
Kjo qendër aktivitetin e saj e kishte përfunduar më 11 mars, por aktivitetet kishte zhvilluar duke u koordinuar me prindërit.
“Nuk përdorëm të njëjtat platforma që i kanë përdorur fëmijët në shkollat e rregullta apo në kopshte, por gjetëm metoda alternativa në bazë të moshës që e ka fëmija dhe në bazë të pengesës që ai e paraqet”, tha Edlira Destani, trajnuese në “Dua ylberin”
Hapja e qendrave të edukimit special është hapi i parë që u ndërmor nga Qeveria, përflitet se pas tyre do të hapen edhe çerdhet.
