Rifillojnë punët në bulevardin “Bllagoja Toska”! Komuna thotë se e ka bërë punën e saj, topin e hedhin te Qeveria

TË FUNDIT

Kanë rifilluar punët në bulevardin “Bllagoja Toska” në Tetovë. Nga Komuna ditë më parë paralajmëruan se punët do të fillojnë nga shkolla e mesme e tekstilit, për shkak se kompania EVN duhet të kryejë disa intervenime. Sa i përket pjesës nga Spitali i Tetovës, kryetari i komunës thotë se këtu mund të jetë e nevojshme asistenca e policisë, nëse banorët protestojnë.

 “Kanë filluar punët për bulevardin “Bllagoja Toska”. Nga komuna e Tetovës thonë se kanë zgjedhur të gjithë çështjet pronësore juridike, ndërsa hapja e bulevardit është duke u zgjatur më shumë se 10 vite”, raporton Senat Zylbeari, gazetar i TV21.

Pyetëm në Komunë për vlerën totale të projektit dhe për kohën e realizimit. Na u përgjigjën shkurt, duke thënë se në këtë bulevard kanë përgjegjësi vetëm në eksproprijimin dhe asgjë më shumë, ndërsa ky projekt financohet nga TAV-i.

 “Sa i përket kompetencave të komunës e që ka të bëjë me eksproprijimin e pronave, të gjitha këto çështje janë zgjidhur. Ky bulevard u promovua disa herë nga udhëheqësia paraprake e komunës, por nuk ishte përfunduar, me ardhjen e krye të komunës së Tetovës të kësaj udhëheqësie ky problem është zgjidhur përgjithmonë dhe tani përgjegjësia për kryerjen e këtij projekti kalon në pushtetin qendror”, thonë nga komuna e Tetovës.

Sa i përket mjeteve, nga ajo që dihet deri më tani, në nëntor të vitit 2020 Qeveria ndau 29.5 milionë denarë, para këto që duhej të shfrytëzohen për shpronësimin e pronave. Ndërsa më 15 qershor të vitit 2021 Komuna e Tetovës fitoi mjete nga TAV-Maqedoni në vlerë prej 42.6 milionë denarë për realizmin e projektit. Bulevardi “Bllagoja Toska” lidh dy bulevardet më të mëdha të Tetovës, atë “Iliria” dhe bulevardin “Ilinden”.