Pas 3 ditëve mungesë, deputeti Kastriot Rexhepi, doli para foltores së Kuvendit për tu përgjigjur në të gjitha pyetjet rreth “zhdukjes” së tij.
Atë po e ruanin rojet e kuvendit, ndërsa përveç mediave, interes për ta dëgjuar nga afër kishte ardhur edhe deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski.
Rexhepi tha se me vullnet të lirë dhe me bindjet e veta ka vendosur që të mos e japë voton e 61-të për të rrëzuar Qeverinë. Madje shtoi se janë të turpshme dhe joserioze pohimet se ka qenë i kidnapuar ose i mbajtur me forcë.
“Me vullnetin tim dhe me vendoshshmëri u strehova në ditën e votimin të mosbesimit të Qeverisë, me qëllim që mos të lejoj që për shkak të valës të rezultateve të zgjedhjeve lokale vendi të na shkojë në drejtim që është në kundërshtim me bindjet e mija ideologjike”, tha deputeti i Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi.
Ai shpjegoi se ditën kur do të votohej për rrëzimin e Qeverisë, kishte menduar që të vijë në seancë, të mbajë fjalim dhe të votojë kundër, por sic thotë e ka pasur shumë të vështirë të jetë deputeti i vetëm që do të votonte kundër.
“Të jesh i vetmi në sallë i cili do të votonte kundër mocionit, së paku në ato emocione do të vinte deri në ndonjë konfrontim verbal, po mos të flas edhe për tjera. Për atë shkak e vlerësova që me mos prezencën time do të bëja më mirë”, shtoi Kastriot Rexhepi – deputet i Lëvizjes Besa.
Shtoi se hoqi dorë për të rrëzuar Qeverinë në momentin që ka marrë sinjale të forta se më 14 dhjetor Maqedonia do të merr datë për negociata me BE-në.
“Për hir të procesit, pse nuk mundej të durohej deri në 14 dhjetor, mandej jo 61 por 75 të bëheshin për rrëzimin e Qeverisë. Nuk e kam të qartë insistimin tash të bëhet përpara procesit kur ka sinjale të qarta që me atë veprim do të ishim të sigurt që datë nuk do të merrnim”, tha Rexhepi.
Rexhepin nëpërmjet Facebook-ut, lideri i Besës e ka përjashtuar nga partia, por megjithatë ai tha se ende është deputet i Lëvizjes Besa dhe nënkryetar i kësaj partie.
“Nuk jam i informuar për shkak se nuk kam marrë asnjë vendim zyrtarë të partisë. Deri sa nuk marrë vendim zyrtarë të partisë, jam anëtarë i grupit të deputetëve të Lëvizjes Besa. Unë jam koordinator i deputetëve të Lëvizjes Besa.46.21 -E kuptoj kryetarin për veprimin që e ka bërë në atë presion dhe atmosferë që ishte. Aspak nuk hidhërohem. E respektoj edhe më tutje”, potencoi deputeti i Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi.
Rexhepi njoftoi se gjatë ditës së enjte ka marrë mesazhe kërcënuese. Si rrjedhojë, Rexhepi thotë se është konsultuar me autoritet përkatëse, të cilët kanë vendosur që t’i ndajnë sigurim personal, të cilët edhe e ruanin dhe e përcjellën deri sa dilte nga salla e Kuvendit.
