Rexhepi paraqitet në polici “shëndosh e mirë”, Kasami menjëherë e përjashtoi nga partia

TË FUNDIT

Për disa patriot e për disa tradhtarë. Këto “epitete” po i merr deputeti Kastriot Rexhepi pas vendimit të tij për t ‘mos u paraqitur mbrëmë në Kuvend. Ai edhe gjatë ditës së sotme doli me një status në facebook ku thotë se gjatë ditës së hënë do të paraqitet dhe do të japë sqarime.

“Ju informoj se paraqitja ime e parë do të jetë të hënën përmes pres konferencës. Apeloj deri te udhëheqësia e Lëvizjes Besa që të mos ndërmarrë hapa të përshpejtuara që do të sjell dëm në strukturat dhe aktivistët tanë. Emocionet duhet lënë anash dhe veprimet duhet të bëhen me maturi”, shkroi Rexhepi.

Por Kasami nuk priti. Ai përmes facebook-ut njoftoi se Rexhepi shkarkohet nga të gjitha pozicionet partiake dhe të qenurit anëtar i Lëvizjes BESA.

“Kastriot Rexhepi i cili ditë më parë nuk u paraqit në kuvend, për të mbështetur mocionin e mosbesimit të qeverisë, me çka i njëjti veproi në kundërshtim me vendimin e partisë me ç’rast dëmtoi rëndë edhe prestigjin e partisë, Lëvizja BESA, respektivisht unë si Kryetar partie, konform normave statutore përkatësisht nenit 14 paragrafit 3 pika 3.3 të Statutit të Lëvizjes BESA, anëtarin e lartëpërmendur e përjashtoj nga të gjitha pozicionet partiake dhe të qenurit anëtar i Lëvizjes BESA”, shkroi Kasami.

Ndërkohë sekretari gjeneral i Besës Arjanit Hoxha veprimin e Rexhepit e quajti tradhti.

“Mos prezenca në seancën e Kuvendit është tradhti ndaj partisë, pasi që ka qenë një ndër iniciatorët me postimet për rrëzimin e kësaj Qeverie.”, tha Hoxha.

Ndryshe nga Ministria e Punëve të Brendshme sot përmes një kumtesë njoftuan se deputeti Kastriot Rexhepi është paraqitur në polici dhe ka mohuar raportimin ndaj tij si person i zhdukur. Rexhepi ka deklraruar për organet e rendit se me vullnetin e tij ka shkuar tek një mik, për t’u mbrojtur nga publiciteti në lidhje me seancën kuvendore.