Edhe debati, por edhe vetë fillimi i seancës së sotme kuvendore, në rendin dite të së cilës ishte votimi i ndryshimeve të Ligjit për regjistrim, kaloi me përplasje të ashpra. Skender Rexhepi, koordinator i grupit parlamentar të ASh-AAA, parti të cilat janë kundër shtyrjes së regjistrimit, së pari kërkuan të ndryshojë renditja e folësve, me arsyetim se ata paraprakisht kanë dorëzuar listë me deputetët e tyre që kanë kërkuar fjalë. Por, kryeparlamentari, Talat Xhaferi, tha se duhej të vinin me kohë në sallë, e jo të dorëzojnë lista.
“Mendoj se ju duhet ta keni parasysh faktin se nuk kishte parking dhe se deputetët u vonuan për shkak se nuk kishin ku të parkonin. Këtë duhet ta rregulloni që të gjithë deputetët të kenë ku të parkojnë”, Skender Rexhepi nga ASH-AAA.
“Ju po arsyetoheni se deputetët kanë ardhur në 15:15 dhe nuk kishin ku të parkonin. Ejani një orë më herët. Mua nuk më intereson kjo gjë, ju keni obligim që të vini me kohë. Ndërsa për pauzë nëse duhet të shkoni për të ngrënë drekë, mund të hani drekë në shtëpi, unë nuk kam obligim të siguroj drekë këtu”, deklaroi kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi.
Gjatë seancës u zhvillua edhe debat – nëse diaspora do të regjistrohet ose vetëm do të evidentohet?
“Ju maksimum që mund të bëni me diasporën është të bëni evidentim. Vetëm evidentim. Tani ne po shikojmë se si një prej diasporave e cila është pjesë e aparatit të shtetit, në fakt bën fushatë që kjo diasporë të regjistrohet në mënyrë jo -proporcionale konform pjesës tjetër të diasporës”, u shpreh Borisllav Kërmov nga “E Majta”.
“Mbetemi në qëndrimin se popullsia rezidente duhet të regjistrohet dhe se diaspora mund të evidentohet. Dihet saktë se çka do të thotë qëndrim i përkohshëm në një vend të huaj, që do të thotë qytetar i cili jeton jashtë vendit mbi 12 muaj, adresa e të cilit është e çlajmëruar në Republikën e Maqedonisë”, theksoi Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
“Ky fjalim me kaq urrejtje ndaj diasporës ku mbi 90% janë shqiptarë, me të vërtetë duhet të jetë praktikë e panjohur, sepse diaspora është e paraparë me ligj. Ata janë një pjesë prej nesh dhe diaspora do të regjistrohet, nuk do të evidentohet”, shtoi Arta Bilali nga BDI.
Krahas ndryshimeve të Ligjit për regjistrim, pikë në seancën e sotme ishte edhe votimi i ndryshimeve të Kodit Zgjedhor me të cilin parashihet që në zgjedhjet e ardhshme lokale të përdoret metoda me gjurmë gishtash, si dhe shtyrja e datës së zgjedhjeve, ku në vend që të mbahen në mesin e parë të tetorit, do të organizohen në fund të muajit të njëjtë.
