Revizioni zbulon parregullsi në ndihmat sociale, pagesa pa bazë, mangësi në kontroll dhe koordinim institucional

TË FUNDIT

Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar një sërë parregullsish në sistemin e pagesës së të drejtave për ndihmë financiare nga mbrojtja sociale, sipas revizioni për periudhën 2022–qershor 2025.

Raporti thekson se sistemi i realizimit, kontrollit dhe pagesës së ndihmave sociale nuk është në përputhje të plotë me legjislacionin dhe se ka mangësi serioze në dokumentacion, verifikim dhe zbatim të kritereve ligjore.

Sipas revizionit, janë evidentuar raste të përfituesve që kanë marrë ndihma pa i përmbushur kushtet, mungesë vizitash në terren, rishikim të pamjaftueshëm të të drejtave dhe vonesa në vendimmarrje.

Po ashtu, në vitin 2024 janë identifikuar 235 përfitues që kanë marrë njëkohësisht ndihmë sociale dhe pension, duke shkaktuar pagesa të pajustifikuara prej rreth 236 mijë euro.

Raporti tregon edhe dobësi në shkëmbimin e të dhënave ndërinstitucionale, mosfunksionim të plotë të sistemit informativ SPIL dhe mungesë koordinimi mes institucioneve, gjë që ka çuar në raste të pagesave të gabuara dhe kontroll të dobët të përfituesve.

Gjithashtu, nuk ekziston sistem i unifikuar për kthimin e mjeteve të përfituara pa bazë ligjore, ndërsa procedurat ndryshojnë nga një Qendër për Punë Sociale në tjetrën.