Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka hedhur poshtë përpjekjet e disa vendeve të Lindjes së Mesme për të nisur negociata diplomatike që synojnë t’i japin fund luftës në Iran, raportoi agjencia Reuters duke cituar tre burime të besueshme.
Nga ana tjetër, Irani ka refuzuar mundësinë e një armëpushimi derisa të përfundojnë sulmet e SHBA-së dhe Izraelit.
Burime të larta iraniane thanë për Reuters se disa vende po përpiqen të ndërmjetësojnë për t’i dhënë fund konfliktit, por Teherani nuk sheh hapësirë për kompromis.
Numri i viktimave civile po rritet dita-ditës, ndërsa mungesa e interesit për dialog nga Uashingtoni dhe Teherani sugjeron se palët po përgatiten për një konflikt të zgjatur.
Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani ka shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare.
Sulmet e SHBA-së në ishullin Kharg, qendra kryesore e eksportit të naftës iraniane, të premten në mbrëmje, treguan vendosmërinë e Trump për të vazhduar planin e tij ushtarak. Ndërkohë, udhëheqësi i ri Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, është zotuar ta mbajë të mbyllur Ngushticën e Hormuzit dhe ka paralajmëruar shtimin e sulmeve ndaj vendeve fqinje.
Sipas të dhënave të fundit, lufta ka shkaktuar mbi 2,000 viktima, kryesisht në Iran, dhe ka sjellë ndërprerjen më të madhe të furnizimit me naftë ndonjëherë, pasi trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit – përmes së cilës transportohet rreth një e pesta e naftës botërore – është ndalur plotësisht.
