Retrospektivë e vitit 2023/ Ngjarjet më të rëndësishme që përjetoi Maqedonia

TË FUNDIT

Viti që po lëmë pas nuk mund të themi se ishte i qetë për qytetarët por edhe sa i përket zhvillimeve politike. Vendi u përball me disa sfida vendore dhe globale, megjithatë me disa prej tyre shteti arriti të përballet në nivel.


Pas marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Republikën e Bullgarisë, në Maqedoni filluan të hapen klube bullgare mirëpo me emra të cilat nuk ishin të pranueshëm për Maqedoninë dhe maqedonasit, sepse shkaktonin tensione dhe intolerancë mes qytetarëve. Klubet bullgare “Mbreti Borisi i tretë” dhe “Ivan Mihajlov” u mbyllën me vendim të Ministrisë së Drejtësisë.


Sa i përket fushës së drejtësisë, në prill të këtij viti në mënyrë ekspresë nga posti kryetare e Këshillit Gjyqësor u shkarkua Vesna Dameva. Iniciativën për shkarkimin e saj e ngriti zëvendësi i këshillit Selim Ademi. Atëkohë Dameva thoshte se shkarkimi i saj është i paligjshëm dhe arsyeja e shkarkimit të saj është për shkak se duhej të kërkohet përgjegjësi për disa gjykatës për fshehje të lëndëve. E tani pas tetë muajve, sipas disa informacioneve në media, Gjykata Administrative e ka shpallur si joligjor shkarkimin e saj, me çka Dameva duhet të kthehet përsëri si kryetare e Këshillit Gjyqësor.


E kur jemi te drejtësia dhe përgjegjësia, në muajin shtator hynë në fuqi ndryshimet e kodit penal, të cilat u votuan pa debat publik, me procedurë të shkurtuar dhe me flamur europian. Këto ndryshime të kodit penal parashohin dënime më të ulëta për funksionarë të cilët keqpërdorin detyrën zyrtare. Pas këtyre ndryshimeve, një pjesë e ish funksionarëve të cilët kanë procedura të hapura gjyqësore, vetëm se filluan t’i shohin rezultatet duke u vjetërsuar lëndët apo duke ua shkurtuar dënimet.


Me flamur europian gjithashtu kaluan edhe ndryshimet e ligjit për korridoret 8 dhe 10d. Në Kuvend u mbajt debat me shumë akuza nga VMRO-DPMNE për keqpërdorime të mundshme nga ana e pushtetit në sjelljen e këtyre ligjeve, e në fund të njëjtat u votuan me 62 vota PËR dhe 43 kundër. Për përdorimin e shpeshtë të flamurit europian kishte reagime edhe nga euroambasadori David Geer, e si vërejtje ishte shënuar edhe në raportin e Komisionit Europian për vitin 2023.


Ky vit ishte i mirë për funksionarët e vendit pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi dy nene për përllogaritjen e pagave për ta. Me këtë vendim të Kushtetueses, funksionarët shtetëror filluan të marrin paga më të larta prej 78%. Ky vendim erdhi më 21 mars. Ndonëse nga funksionarët kishte deklarata që ky vendim duhet të rivlerësohet, megjithatë Qeveria doli me qëndrim zyrtar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen.


E derisa pagat e funksionarëve u rritën për 78%, sektorët tjerë mezi fituan rritje të pagave dhe atë maksimumi 15% deri 30%. Sindikata të shumta organizonin vazhdimisht protesta duke kërkuar rritje të pagave, por edhe pensionistët nuk pushuan së kërkuari pensione më të larta.


Shoqëria dhe shteti i Maqedonisë sivjet u tronditën nga dy ngjarje sa të trishta aq edhe skandaloze. Më 1 shtator policia bastisi Klinikën Shtetërore të Onkologjisë pas dyshimeve se shumë pacientë të vdekur ende udhëhiqen si të gjallë dhe për të njëjtit klinika furnizohet me terapi. Këto terapi, shiteshin në të zezë ndërsa shumë informacione kishte se të njëjtat përfundojnë në Republikën e Kosovës. Deri tani për këtë skandal ende nuk ka një epilog gjyqësor.


Një skandal dhe tragjedi tjetër së fundmi ishte vrasja e 14 vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi dhe pensionistit 74 vjeçar Pançe Zhezhovski nga Velesi. Vrasja pati ndodhur më 27 nëntor, ditën kur e ndjera Vanja u pati denoncuar si e zhdukur nga e ëma e saj. Në këtë rast të dyshuar janë pesë persona, mes të cilëve edhe babai i Vanjës ndërsa aktin e vrasjes e ka kryer Ljupço Palevski. Ky i fundit kishte ikur në Serbi, e nga Serbia në Bullgari dhe në fund u kap nga policia turke në Balikesir të Turqisë. Palevskit i është shqiptuar paraburgim i përkohshëm prej 40 ditëve.


Gjatë vitit 2023 nuk duhet harruar se Maqedonia e Veriut kryesoi me Këshillin Ministror të OSBE-së. Në këshillin ministror që u mbajt në fund të nëntorit dhe në fillim të dhjetorit, në Shkup morën pjesë 76 delegacione, prej të cilave 57 shtete anëtare të OSBE-së. Fokusi i këtij këshilli ministror ishte ardhja e kryediplomatit rus Sergej Lavrov ndërsa i gjithë këshilli ministror kaloi në atmosferë të mirë.

Maqedonia dhe ministri i jashtëm Osmani morën përgëzime dhe lëvdata për menaxhimin me organizatën më të madhe tësigurisë, OSBE, veçanërisht në kohë luftërash.


Ndërkohë edhe pse u përpoqën deri në fund, Qeveria nuk arriti të sigurojë shumicë prej 80 votash në Kuvend sa i përket ndryshimeve kushtetuese. Viti për Maqedoninë e Veriut përfundoi me konkluzionet e Këshillit Europian, ku u tha se Bashkimi Europian është e gatshme të kompletojë fazën e hapjes së negociatave inkuadruese me Maqedoninë, sapo vendi t’i realizojë ndryshimet kushtetuese. Fajin për këtë sipas LSDM-së, është inati i opozitës që të mos ndajë përgjegjësinë për ndryshimet kushtetuese ndërsa sipas VMRO-së, faji qëndron te krimi dhe korrupsioni qeveritar.


E sa i përket gjendjes së korrupsionit, ambasadorja amerikane i dha një shuplakë Maqedonisë duke thënë se në vend është përhapur epidemi e korrupsionit. Në listën e zezë amerikane nga SHBA-të u futën ish zv.kryeministri Koço Angjushev, kryetari i Strugës Ramiz Merko, si dhe biznesmeni Orce Kamçev.