Reisi Fetahu uron fillimin e Ramazanit dhe fton të respektohen masat anti-Covid

TË FUNDIT

Kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetahu ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e fillimit të muajit të shenjtë, Ramazanit.

Duke treguar vlerat e rëndësishme që ka ky muaj, ka ftuar qytetarët që t’i respektojnë rekomandimet për mbrojtje nga virusi Covid-19.

Thotë se mbrojtja e shëndetit, në një gjendje të jashtëzakonshme siç është pandemia, do të jenë një vlerë e veçantë për besimtarët në këtë muaj.

“Edhe ky Ramazan po na gjen në gjendje të jashtëzakonshme shkaku i Pandemisë COVID-19, prandaj kujdesi i nivelit të lartë dhe disiplina precize e jona për të respektuar të gjitha rekomandimet me qëllim mbrojtjen nga kjo sëmundje, do të jetë një vlerë e jona në këtë muaj të shenjtë për të dhënë kontributin e vazhdueshëm për tejkalimin e kësaj gjendjeje, andaj, le të jetë ky muaj një inspirim i gjallë për ngritjen e vetëdijes sonë për të dalë nga kjo gjendje e vështirë shëndetësore”, tha mes të tjerash në urimin e tij, Fetahu, transmeton TV21.

Besimtarët sot fillojnë ritualet e muajit të shenjtë të Ramazanit, por faljet në xhami, siç ndodh me taravitë nuk do të mund t’i realizojnë, për shkak se Maqedonia e Veriut ka në fuqi masën e ndalesës së lëvizjes – orës policore e cila fillon në ora 20:00 dhe mbaron në ora 05:00 të ditës së nesërme.

Kjo masë është në fuqi deri më 20 prill dhe u zbatua, për shkak të rritjes së numrit të infektimeve nga Covid-19 dhe të pacientëve të shtrirë në spitalet e vendit./TV21

Në formë të integruar ua sjellim urimin e kreut të BFI-së:

“O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.”2:183
Besimtarë e besimtare, vëllezër e motra!
Nesër është dita e parë e muajit të shenjtë të Ramazanit, ditë kjo me të cilën fillon kryerja e obligimit të shenjtë të agjërimit të ditëve të tij. Muaji i Ramazanit po na vjen me vlera dhe begati të shumënumërta, me të cilat formojmë dhe ngritim lartë personalitetin tonë të besimtarit të denjë. Zbritja e Kur’anit Famëlartë në këtë muaj, si dhe agjërimi i ditëve të tij për hir të All-llahut Fuqiplotë, forcon vetëdijen tonë mbi Zotin, moralin, durimin, sakrificën, paqen, tolerancën, humanizmin dhe bujarinë. E gjithë kjo hap dyert e lutjeve tona drejt Madhërisë së Zotit, për të pastruar të menduarit, zemrat dhe shpirtërat tonë, dhe më në fund për të merituar faljen dhe ndihmën e të Madhit Zot, sepse i dashuri ynë Muhamedi a.s. ka thënë: “Kush agjëron Muajin e Ramazanit me besim të plotë dhe me vetëdije të lartë, All-llahu Fuqiplotë i falë të gjitha mëkatet e mëparshme”.
Pra, nga kjo kuptojmë se muaji Ramazan na ofron një ambient të shenjtë, i cili duhet të shfrytëzohet në relacion të paluhatshëm me Krijuesin tonë, në paqe me të gjithë, me bujari dhe solidaritet me të varfërit, me afrim ndaj njëri-tjetrit.
Edhe ky Ramazan po na gjen në gjendje të jashtëzakonshme shkaku i Pandemisë COVID-19, prandaj kujdesi i nivelit të lartë dhe disiplina precize e jona për të respektuar të gjitha rekomandimet me qëllim mbrojtjen nga kjo sëmundje, do të jetë një vlerë e jona në këtë muaj të shenjtë për të dhënë kontributin e vazhdueshëm për tejkalimin e kësaj gjendjeje, andaj, le të jetë ky muaj një inspirim i gjallë për ngritjen e vetëdijes sonë për të dalë nga kjo gjendje e vështirë shëndetësore.
Besimtarë e besimtare të nderuara! Më lejoni që në emër të Bashkësisë Fetare Islame të RMV, organeve dhe institucioneve të saja, si dhe në emrin tim t’ju shprehi urime të përzemërta, duke iu lutur All-llahut Fuqiplotë që t’ju jep shëndet e vullnet të plotë, iman të paluhatshëm, vetëdije të lartë, ibadete të nduarnduarta dhe agjërim të lehtë e të pranuar.
Ju qoftë me hajr muaji i bekuar i Ramazanit dhe Zoti ju bekoftë!