Në Serbi nuk ndalen reagimet e ashpra pas vendimit të Podgoricës për të mos i hapur kufijtë e vendit për shtetasit serbë. Reagimet vijnë si nga kryesia e shtetit, ashtu edhe nga media dhe qytetarët, lajmëron korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.
Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq ishte i pari që reagoi, duke e vlerësuar atë si “veprim qesharak dhe të pakuptimtë politik” dhe se ky vendim do të kishte pasoja dhe dëm të drejtpërdrejtë për qytetarët malazezë.
Kryeministrja Ana Bërnabiq gjithashtu reagoi, duke thënë se Serbia nuk do të zbatojë masë reciproke, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos i kalojnë pushimet verore atje ku nuk janë të dëshirueshëm.
Dje, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq njoftoi se vendi do të hapë kufijtë me vendet me më pak se 25 persona të infektuar në 100.000 banorë, duke përfshirë Kroacinë, Slloveninë, Austrinë, Gjermaninë, Hungarinë, Shqipërinë dhe Greqinë.
