Refugjatët e larguar nga Ukraina mund të kenë nevojë për ndihmë afatgjatë

TË FUNDIT

Mijëra ukrainas, jetët e të cilëve janë trazuar nga lufta në vendin e tyre, vazhdojnë të mbështeten në ndihmën humanitare të ofruar nga e gjithë bota. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Greg Flakus, njofton nga kufiri i Polonisë me Ukrainën se ndihma ka të ngjarë të jetë e nevojshme për një kohë mjaft të gjatë.

Kur refugjatët ukrainas kalojnë kufirin dhe futen në Poloni, ata ndeshen me tenda, ku grupe bamirësie joqeveritare nga e gjithë bota u ofrojnë atyre ushqime dhe strehim të përkohshëm.

Janë të paktë refugjatët që kanë probleme serioze shëndetësore, por disa kanë nevojë për ilaçe me recetë.

David Christensen është infermier nga San Francisko. Ai i tha Zërit të Amerikës se ka dalë vullnetar në një klinikë me një grup të quajtur Shpëtimtarët pa Kufij ( Rescuers Without Borders).

“Klinika nuk mbyllet kurrë. Zakonisht kemi pacientë që kërkojnë ilaçe për tensionin, zemrën apo grykët. Shumë njerëz u larguan vetëm me rrobat që kishin veshur dhe vuajnë nga sëmundje kronike”.

Ai thotë për Zërin e Amerikës se fluksi i refugjatëve është ngadalësuar ndjeshëm krahasuar me shkurtin dhe marsin kur turma refugjatësh kaluan kufirin.

“Ishte një valë e madhe njerëzisht në atë kohë. Tani janë të paktë. Ka njerëz që kalojnë kufirin për të marrë furnizime dhe pastaj kthehen. Por ka edhe nga ata që nuk kanë se ku të shkojnë”.

Todd Bernhardt, me organizatën globale jofitimprurëse “International Medical Corps”, thotë për Zërin e Amerikës se sado e vështirë të jetë situata për refugjatët e zhvendosur brenda Ukrainës, gjendja është edhe më e rëndë për civilët që qëndruan në zonat e konfliktit.


“Zakonisht, njerëzit që mbeten pas në një situatë konflikti janë shtresa më e varfër të cilët nuk kanë mundësi për t’u larguar. Janë shtresa që kanë më shumë nevojë për ndihma humanitare, ku përpiqemi të përqendrohemi”.


I sapo është kthyer në Los Anxhelos nga Ukraina, zoti Bernhardt thotë se organizata e tij humanitare, që ka shërbyer në mbarë botën për disa dekada, po përpiqet të ndihmojë dhe pajis spitalet e zonës ndërsa vazhdojnë bombardimet.

“Mendoj se ky konflikt do të vazhdojë për një kohë të gjatë. Njerëzit do të kenë nevojë për ndihma për një kohë të gjatë”.


Ai thotë se edhe nëse lufta përfundon sot, ukrainasit e lënduar fizikisht dhe nga ana psikologjike, do të kenë nevojë për ndihmë për vite me radhë.