Reforma në gjyqësor edhe në vitin 2021! “Rishqyrtimi i lëndëve të vjetërsuara është i pamjaftueshëm”

TË FUNDIT

Janë bërë hapa në drejtim të përmirësimit të gjyqësorit në vendin tonë, por ende duhet punuar, vlerësojnë nga Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”.

 “Ajo që mungon për qytetarët është ajo që pritet në drejtim të ndryshimit dhe vlerësimit të stafit i cili vepron në këto institucione. Në këtë moment, roli i Këshillit Gjyqësor do të ishte kyç, i cili do të duhet ta kryejë procesin e rishikimit”, theksoi Natali Petrovska – Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”.

Nga Koalicioni thonë se nuk mjafton premtimi i Qeverisë për rishqyrtim të 5% të aktgjykimeve.

 “Baza mbi të cilën filloi rishqyrtimi lidhur me atë se çfarë është punuar nga gjykatësit në periudhën e kaluar është shumë e kufizuar për shkak se vjetërsimi i lëndëve të cilat në këtë moment…ekipet e Këshillit Gjyqësor, nëpër gjykatat e Maqedonisë po i shqyrtojnë lëndët e vjetërsuara që zgjasin shumë kohë, i përcaktojnë kriteret objektive apo subjektive që kanë ndikuar mbi vjetërsimin eventual të  lëndëve, por kjo nuk është e mjaftueshme”, u shpreh Natali Petrovska     – Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”.

Nga Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë” shtojnë se një rishqyrtim thelbësor nuk mund të përcaktohet përmes një procesi të tillë.


Përndryshe, për lëndët e profilit të lartë që janë në Gjykatën Penale, shumë prej të cilave janë ngritur nga PPS-ja, nuk ka as paralajmërim se do të ketë epilog përfundimtar. 

Disa prej këtyre lëndëve janë “Trajektorja”, “Tortura”, “Tenderët”, “TNT”, “Totali”, “Thesari”, “Target- Fortesa”, “Titaniku”.

Nuk ka asgjë as nga hetimet që i hapi PPS, e të cilat tani kaluan në Prokurorinë e Rregullt, siç janë: “Producenti”, “Transportuesi 2”, “Tarifa 2”, “Shërbimet e Jashtme”, “Regjistrimi”, “Aktori”, “ I fuqishmi”, “Stacionet bazë” dhe të tjerat.

Edhe në planin e ri të Qeverisë të quajtur “Aksioni 21”, si prioritet numër një figuron sistemi gjyqësor, respektivisht pastrimi i tij. Megjithatë, edhe më parë ishte theksuar si çështje së cilës do t’i kushtohet më shumë vëmendje. Edhe pse ishte pjesë e Planit 3-6-9, megjithatë mosbesimi i qytetarëve në sistemin gjyqësor është në nivel të ulët.