Realizohen 96% e të ardhurat tatimore të planifikuara në vitin 2025! Mospërmbushje ka te lojërat e fatit dhe kontributet për pension

TË FUNDIT

Të ardhurat tatimore në vitin 2025 janë mbledhur 96 për qind nga të planifikuarat. Sipas ministres së Financave Gordana Dimitrieska Koçoska, është realizuar pjesa më e madhe e planifikimit. Por, mospërmbushje ka te kontributet për sigurim pensional, ku janë mbledhur 2% më pak se sa ishte planifikuar. Sipas ministres, ende po përcaktohet pse këtu ka një mospërmbushje të çuditshme, sepse te kontributet e tjera, për shëndetësi dhe për punësim, arkëtimi ka tejkaluar 100 për qind.

 “Kemi në një segment, sipas meje, një arkëtim pak më të ulët, por edhe në atë pjesë po punojmë, ajo është në pjesën e lojërave të fatit, ku tashmë po punojmë edhe për të futur një sistem të ri, sepse është e qartë se sistemi ekzistues që e kemi në Drejtorinë e të Ardhurave Publike nuk funksionon ose nuk është i mirë, kështu që edhe këtu jemi të fokusuar, do të punojmë në implementimin e një sistemi të ri”, theksoi Gordana Dimitrieska Koçoska, ministre e Financave.

Tatimi mbi vlerën e shtuar është mbledhur 100 për qind, ndërsa tatimi personal 97 për qind. Por, mospërmbushje ka te akcizat, sepse ishte parashikuar një çmim më i lartë i naftës në bursat botërore, e jo rënie, ndërsa janë mbledhur më pak edhe detyrime të tjera doganore. Por, problemi kryesor pse të ardhurat totale në vitin 2025, ku përfshihen tatimet, kontributet dhe të ardhurat jo tatimore, janë diçka mbi 92 për qind, Gordana Dimitrieska Koçoska e lokalizoi në faktin se një pjesë e mirë e institucioneve nuk i kanë mbledhur të ardhurat e tyre burimore.

 “Enti Shtetëror i Revizionit dilte me raporte të caktuara ku thoshte se disa institucione nuk kanë arritur të mbledhin të ardhura, qoftë për koncesione apo për baza të ndryshme, këto janë ato të ardhura për të cilat kujdesen institucione të veçanta. Por kjo nuk i ka penguar institucionet t’i shpenzojnë paratë, sepse ato përsëri kishin edhe në llogaritë e veta para, kjo është ajo për të cilën flasim në vazhdimësi”, u shpreh Gordana Dimitrieska Koçoska, ministre e Financave.

Ministrja nuk deshi të tregojë se cilat institucione nuk i kanë mbledhur të ardhurat e tyre burimore, por për ilustrim, mjete të tilla mbledhin ministritë e energjetikës, të punëve të brendshme, të drejtësisë, të mjedisit jetësor, por edhe ndërmarrjet në pronësi shtetërore. Pas kësaj mospërmbushjeje prej gati tetë pikë përqindjeje në vitin e kaluar, shtrohet pyetja se si në këtë vit 2026 do të mblidhen 12,4 për qind më shumë të ardhura shtesë, përkatësisht nga do të gjenden para për t’u mbledhur 100 për qind e planifikuar. Sipas ministres, ka zgjidhje.

 “Ende nuk i kemi marrë raportet nga FMN-ja që punuan në analizë, por thonë se lehtësimet tatimore në shtet janë 4,75% e PBB-së, që do të thotë shumë më të larta se 4% deficit me të cilin përfunduam, ndërsa kemi lehtësime tatimore. Ato janë ato që i shohim, ndërsa ato që nuk i shohim, që janë në zonën e ekonomisë gri, ka hapësirë atje”, tha shpreh Gordana Dimitrieska Koçoska, ministre e Financave.

Ndërkaq, si mjet thelbësor për luftën kundër ekonomisë gri, e cila vlerësohet në 30 për qind të prodhimit të brendshëm bruto ose në para rreth pesë miliardë euro për të cilat nuk paguhen asnjë lloj tatimesh dhe detyrimesh, nga sot ka filluar periudha testuese e E-fakturës. Në nëntë muajt e ardhshëm të gjitha kompanitë do të duhet të përshtaten dhe të trajnohen për përdorimin e këtij mjeti të Drejtorisë së të Ardhurave Publike. Sipas DAP-it, ajo është e thjeshtë dhe të gjitha kompanitë, qoftë të vogla, të mesme apo të mëdha, do të mund ta përdorin.