Edhe kryetarja e Preshevsë, Ardita Sinani, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për masat e reja për hyrje në shtet.
Kjo e ka vështirësuar dukshëm lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Komunës së Preshevës, ka shkruar ajo në Facebook.
“Duke qenë se një pjesë jo e pakët e tyre nuk mund ta marrin dozën e tretë, sepse nuk kanë kaluar mjaftueshëm muaj nga doza e dytë dhe shumë prej bashkëvendësve tanë nuk kanë mundësitë financiare për ta kryer testin çdo herë që e kalojnë kufirin, kjo masë po e kufizon lirinë e lëvizjes midis Komunës sonë dhe Republikës së Kosovës, ku edhe punojnë, studiojnë, shërohen, apo edhe vizitojnë reciprokisht familjarët e tyre”, ka shkruar Sinani, duke e ftuar Qeverinë e Kosovës që ta rishqyrtojë vendimin përkatës, apo edhe ta plotësojë, drejt lehtësimit të lirisë së lëvizjes.
