Pas miratimit të raportit të Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian për Maqedoninë, reagoi Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë. Thonë se e përshëndesin vendimin e Komitetin që të mos hyhet në, siç thuhet, narrativa nacionaliste për identitetin shekullor maqedonas.
“Ne përshëndesim vendosmërinë e AFET-it për të mos u përfshirë në narrativa nacionaliste spekulative të lidhura me pretendimet për një ‘identitet maqedonas shekullor’, të cilat bien ndesh me vlerat europiane për gjithë përfshirje dhe lëndojnë ndjenjat si të Bullgarisë, ashtu edhe të përfaqësuesve të komuniteteve të tjera në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Bullgaria vazhdimisht deklaron se nuk ka vërejtje ndaj perceptimeve moderne bashkëkohore për identitetin e asnjë individi apo komuniteti – kjo është çështje e zgjedhjes personale. Fatkeqësisht, interpretimi manipulues i këtij qëndrimi nga autoritetet në Shkup shpeshherë shërben si justifikim për mospërmbushjen e detyrimeve të marra”, thonë nga MPJ e Republikës së Bullgarisë.
Mbledhja e AFET-it, konkretisht amendamentet e dorëzuara nga Partitë Popullore Evropiane, ishin shkak për kritika nga LSDM drejtuar qeverisë. Aty thuhet se VMRO-DPMNE mori një “shuplakë historike” nga partitë simotra.
“Ky amendament përfaqëson një goditje serioze ndaj pozicioneve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, por edhe një poshtërim thelbësor për VMRO-DPMNE-në, e cila paraqitet si ‘mbrojtëse’ e gjuhës maqedonase. Në vend që të marrin mbështetje nga miqtë e tyre europianë, ata morën një shuplakë diplomatike që vë në pikëpyetje ndikimin e VMRO-DPMNE-së në grupin e tyre politik amë. Ajo që shqetëson më tej është se PPE ka paralajmëruar se do të paraqesë të njëjtin amendament edhe në seancën plenare – që do të thotë se kjo nuk është një ngjarje e izoluar, por një qëndrim i koordinuar në të cilin VMRO-DPMNE ose merr pjesë ose hesht”, u shpreh Bogdanka Kuzeska – zëdhënëse e LSDM-së.
“Mirë që e kaluam këtë fazë të parë në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Europian”, tha kryeministri Mickoski. Për faktin që aleatët e tij nga PPE dorëzuan amendamentet, ai tha se Andrej Kovaçev është pjesë e tyre, por se shumica e tyre votuan për raportin.
“15 ishin për raportin e Vajcit, eurodeputetë nga PPE-së, përfshirë edhe kryetarin e Komitetit z. McAllister, tre ishin kundër dhe dy abstenuan – ata ishin deputetë grekë. Kjo ishte vota brenda PPE-së. Është mirë që e kaluam këtë pengesë të parë dhe është mirë që të gjithë panë se nuk është çështja për disa qindra bullgarë, thelbi është shumë më i thellë dhe do ta përsëris: a do të kemi sukses, nuk e di”, deklaroi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Mickoski gjithashtu tha se pritet që edhe në seancën plenare të Parlamentit Europian, ku do të votohet raporti, të ketë amendamente, por nuk është i sigurt si do të përfundojë votimi atje.
