Reagime për rritjen e taksës ekologjike

TË FUNDIT

Nëse rritet çmimi i energjencave, energjisë elektrike dhe derivateve kjo do të shkaktojë ulje drastike të standardit të gjithë qytetarëve të vendit, reagojnë nga Sindikata e pavarur e transportuesve me kamionë, pasi që Qeveria solli vendim për taksë më të lartë ekologjike. Kërkojnë që çmimi i derivateve dhe energjencave tjera të ulet për 15%.

“Vetë paralajmërimi për rritjen e çmimeve të energjencave tashmë shkaktoi seri shtrenjtimi të gjithë produkteve, para se gjithash të produkteve themelore për jetesë. Që të mos vijë deri te varfërimi i mëtejshëm i qytetarëve, kërkojmë që nga çmimi të largohet fuqia e angazhuar në lartësi prej 33,33% dhe të ulet çmimi i energjisë elektrike për 15% shtesë për shkak të tejkalimit të të ashtuquajturës kovid-krizë”, tha Strasho Jovanov nga Sindikata e transportuesve me kamion.

Nga Sindikata e pavarur e punëtorëve të ndërtimtarisë, inxhinierëve dhe tregtarëve ndërtimor thonë se me paralajmërimin dhe me gjasat për rritjen e çmimeve të energjencave do të vijë edhe deri te shtrenjtimi i produkteve themelore për jetesë që janë të patjetërsueshme për mbijetesën e qytetarëve dhe familjeve.

“Vaji për gatim, vezët, buka, dëgjoj se diku tashmë janë shtrenjtuar edhe produktet tjera themelore. D.m.th. ky nuk është mendim i popullit, ky është mendim se si të mbushet buxheti dhe të shpenzohet për qëllime joadekuate. Nuk duhet ta lejojmë këtë asnjëherë”, deklaroi Atanas Trajkovski nga Sindikata e punëtorëve të ndërtimtarisë dhe inxhinierëve.

Me reagim dolën edhe nga opozitarja VMRO-DPMNE prej ku thonë se bëhet fjalë për masë joadekuate dhe të dëmshme.

“Në vend që të vendoset kontroll më i rregullt i matjes së emetimit të gazrave gjatë regjistrimit të automjeteve, si bazë për zbatimin e parimit “ndotësi paguan” në këtë kontekst propozohet rritje lineare e derivateve për të gjithë shfrytëzuesit, pa marrë parasysh llojin e automjetit transportues. Masa do të ketë në përgjithësi efekt fiskal në rritjen e të ardhurave në Buxhet. Kjo nuk ka asnjëfarë lidhje me ekologjinë dhe mbrojtjen e mjedisit jetësorë, por paraqet vetëm emër tjetër për tatim krize”, deklaroi Trajko Sllaveski – anëtar i KE të VMRO-DPMNE-së.

Përndryshe në seancën e djeshme të Qeverisë u vendos për ndryshimet e Ligjit për mjedisin jetësor, me të cilat parashihet taksë më e lartë ekologjike për derivatet e naftës, e që tani do të shkojnë për miratim në Kuvend. Me këto ndryshime parashihet taksë ekologjike më të lartë për 3,1 denarë për benzinën pa plumb dhe 3,5 denarë për derivatet tjera. Kjo gjë, sipas Qeverisë, bëhet që të mbrohet ambienti jetësor. Krahas këtij hapi, Qeveria solli vendim për uljen e TVSH për energjinë elektrike nga 18% në 5%.