Presidenti shqiptar Ilir Meta reagoi ashpër në votimin e ndryshimeve dhe plotësimeve të Kodit Zgjedhor në Parlament me 97 vota “për”.
Sipas Metës, shumica tashmë ka vendosur murr për pengimin e rrugës drejtë integrimit evropian.
Ai paralajmëron se ky murr do të shembet nga tre milionë shqiptarë në zgjedhjet e 25 prilli dhe shton se nëse është e nevojshme, ai do të shembet edhe para 25 prillit.
“Shkatërrimi brutal i Marrëveshjes së 5 Qershorit ishte vetëdemaskimi i ‘Rilindjes’ si përfaqësuese e pakicës së pakicës apo thjesht oligarkisë dhe bandave. Populli shqiptar do të jetë në lartësinë që e kërkon ky moment historik për rrëzimin e murit kriminal të “Rilindjes” që është vendosur nga dje në rrugën e integrimit evropian. Ky mur do shembet nga tre milion shqiptarë në 25 Prill, por edhe më parë nëse është e domosdoshme. Shqipëria e Para! Shqipëria si gjithë Evropa”, shkruan Meta.
Në reagimin e mbrëmshëm zëdhënësi i tij Tedi Blushi në Fejsbuk shkroi se “nuk ka kurrfarë befasi” duke e quajtur shtëpinë ligjvënëse “Parlament të turpit dhe kokoshkave”.
“Ka vetëm një faktor, e ai është zotëri një prilli ose Profeti i kokoshkave (duke aluduar në Edi Ramën). Të tjerët janë bashkëpjesëmarrës të tij, të blerë, të robëruar, të shantazhuar dhe të nënçmuar. Por, le ta dinë se tre milionë shqiptarë dinë t’i përgjigjen këtij provokimi”, shkroi Blushi.
Në reagimet e përfaqësuesve ndërkombëtarë kryesisht shprehet keqardhje që ndryshimet e kodit zgjedhor janë votuar pa konsensus të arritur.
Lulzim Basha, lider i fuqisë më të madhe opozitare, Partia demokratike, vlerësoi se votimi i ndryshimeve, me të cilët hiqen koalicionet zgjedhore, ndërsa akt antikushtetues që e “anulon marrëveshjen e arritur me konsensus më 5 qershor dhe seriozisht e godet integrimin evropian të vendit”.
