Rilindja Demokratike Kombëtare, në komunikatë për mediat të lëshuar sot, thekson se ‘marrëveshja’ rreth ndryshimeve në kodin zgjedhor nga ana e katër partive politike, me ndërmjetësim ndërkombëtar, është një farsë e vërtetë dhe se edhe njëherë konfirmohet qëndrimi konsistent i RDK-së se e gjithë kjo është një lojë se diçka është arritur.
Duke patur parasysh se një pjesë e madhe e problemeve të vendit janë shkaktuar nga manipulime të mëdha në cikle të ndryshme zgjedhore, që ka rezultuar në mosnjohje të zgjedhjeve dhe bojkot të parlamentit, është vetëm çështje kohe kur problemet e kësaj natyre do të eskalojnë sërrisht, por kësaj here me pasoja më të rënda, theksohet në kumtesën e RDK.
Sipas RDK, është i pakuptueshëm roli i komunitetit ndërkombëtar që nuk ka insistuar në ndryshime substanciale për demokratizimin e vendit në përgjithësi. Në drejtim të këtij demokratizimi është edhe modeli zgjedhor, që edhe më tutje do të vazhdojë të favorizojë pushtetin autokrat që e ka sjellë vendin buzë greminës. RDK vlerëson se modeli me “një njësi zgjedhore” do të nxirrte në sipërfaqe jo vetëm koloritin politik, por edhe atë etnik, si një pasuri e madhe drejt demokratizimit të vendit duke patur parasysh se Maqedonia njihet si një shtet multietnik.
Rilindja Demokratike Kombëtare mban qëndrimin se ndryshimet në kodin zgjedhor janë vetëm ndryshime kozmetike dhe kjo nuk do të sjellë asgjë pozitive për eliminimin e dyshimeve të manipulimit zgjedhor. RDK përmes kësaj kumtese vlerëson se ndërkombëtarët duhet ta kenë të qartë se tolerimi ndaj këtyre lojërave politike do të sjellë pasoja me një kosto të lartë jo vetëm për vendin, por edhe për vet komunitetin ndërkombëtar.
