Mbrojtja e sigurimit të klubit “Pulse” theksoi se aktakuza është e pabazë, pa prova konkrete dhe e ndërtuar mbi supozime të paqëndrueshme. Avokatët e disa prej të akuzuarve thanë se një inspektor i autorizuar ndërtimor mund të kontrollojë vetëm kur ka ndryshim destinimi nga hapësirë afariste në banesë dhe anasjelltas.
“Objekti edhe sot qëndron, nuk është shembur. Këtu shihet se kjo tragjedi fare nuk ka qenë ndërtimore. Inspektori ndërtimor nuk kontrollon enterierin, pra rregullimin e brendshëm. Nuk kontrollon veprimtarinë, nuk kontrollon piroteknikën dhe as masat e sigurisë nga zjarri”, u shpreh Nikolço Gocev – inspektor ndërtimor.
Ish-kryetari i Komunës së Koçanit, Ratko Dimitrovski, i cili është një nga të akuzuarit për zjarrin në “Pulse”, ka qenë i vetmi që i ka alarmuar organet shtetërore para 13 vitesh se nuk duhet të jepet licencë për punë për objektin.
“Në atë kërkesë është shkruar gjithçka që kam qenë i detyruar ta di. Çfarë destinimi ka ajo pjesë në planin urbanistik dhe se nuk ka kushte për vende parkimi. Dhe në fund kërkesa e qartë që të mos jepet leje apo licencë për disko apo klub nate, sepse nuk është në kompetencë të komunës — prandaj thuhet nëse është disko, klub nate apo çfarëdo tjetër”, theksoi Ratko Dimitrovski – ish kryetar i Koçanit.
Disa nga prindërit sërish ishin në sallën e gjyqit, ndërsa para fillimit të seancës vendosën një pankartë me fytyrat e viktimave të tragjedisë “Pulse”.
“Edhe pse e drejta për mbrojtje është e pacënueshme në çdo shtet juridik, po aq e rëndësishme është që diskursi publik të jetë i ndjeshëm ndaj viktimave dhe komunitetit që kalon nëpër një traumë të gjatë. Zëri i prindërve, familjeve dhe të gjithë të prekurve duhet të jetë në qendër të vëmendjes”, u shpreh Aleksandar Naunov – Babai i Nadicës së ndjerë.
Në seancën e sotme kishte edhe një kërkesë nga mbrojtja, të cilën gjyqtari e miratoi, dhe me një minutë heshtje u nderuan të ndjerët në tragjedinë e “Pulse”.
Deri tani fjalët hyrëse i kanë dhënë 17 persona, ndërsa më 10 dhjetor gjykimi vazhdon me Shaban Saliun dhe pastaj me 18 personat e tjerë fizikë.
