Rasti i Ëmblës, vajzës me Sindromin Down e cila refuzohej të mësonte bashkë me moshatarët e saj, ishte tema e debatit në “Click Plus”, e që hapi edhe çështjen se sa shkollat tona janë të përgatitura për të punuar me fëmijët me nevoja të posaçme.
Ministri për Arsim dhe Shkencë, Jeton Shaqiri paralajmëroi se sot do të ketë takim me kryetarin e Komisionit që bën vlerësime të fëmijëve që kanë nevoja të veçanta. Qëllimi është që të shihen problemet që kanë dal brenda sistemit të mësimit gjithëpërfshirës.
“Qëllimi i arritjes dhe ngritja e kësaj teme është që edhe rastet tjera edhe minimale qofshin ato procedura, secili duhet të mendojmë të mirën pozitive dhe shoqëria duhet ta kape se nuk ka asnjë problem në qoftë se një fëmijë ka një problem në procesin e zhvillimit të tij. Në rastet tjera me paraqitjen e asistentëve kanë filluar të paraqiten dhe raste tjera të cilat nuk janë shumë në numër, por deri me paraqitjen e asistentëve, nuk kanë dashur të paraqiten brenda sistemit”, deklaroi Shaqiri.
Psikologia klinike, Zemrijet Bela tregoi raste kur persona me sindromin Doun kanë arritur deri në studimet e larta.
“Kam raste që kam parë për shkak se studimet i kam kryer në Turqi, jam magjistër e Psikologjisë klinike dhe raste që kemi parë atje është se këta fëmijë mund të arrijnë edhe universitetin ta mbarojnë, d.m.th. i kanë aftësitë e veta. Por problemin më të madh e kemi pranimin nga ana e të tjerëve”, deklaroi psikologia.
Babai i Ëmblës, Ilir Ademi theksoi nevojën e trajnimit adekuat të mësimdhënësve për fëmijë me nevoja të veçanta, sepse siç tregoi, se kur vinte puna që Ëmbla të vazhdojë mësimin me një klasë asnjë mësuese nuk e merrte përgjegjësi.
“Prandaj institucionet, ministria e Arsimit, pushteti lokal duhet të punoni në këtë drejtim që trajnimi I mësuesve të bëhet në mënyrë të përpiktë dhe adekuat. Shpresoj se tash e tutje do të jetë ajo si një model për tu trajnuar mësueset që kur kemi kësi lloj raste tu dalin përballë”, tregon Ademi.
Opinionisti Latif Mustafa, duke komentuar peticionin e nënshkruar nga prindërit në shkollën “Bashkimi”, tha se askush nuk mund të ndalojë të drejtën e arsimit që e garanton Kushtetuta dhe karta e përgjithshme për të drejta të njeriut.
“Shumë është me rëndësi formulimi mbi bazën e të cilin është bërë peticioni. Mbi cilin kriter? Cili është ai autoritet që e ka bërë një konstatim të tillë? Apo është vetëm perceptim ose edhe i gabuar i prindërve, ose edhe i dikujt tjetër. Të motivuar nga njëri-tjetri…hajt se po e bëjmë një peticion, pas çka peticion nuk zgjidh punë. Për diçka që është e garantuar me Kushtetutë dhe me kartën universale të të drejtave të njeriut nuk mund të ta mohojë ty askush”, shprehet Latif Mustafa, opinionist.
Ministri Shaqiri tha se në gjithë vendin për vitin e kaluar në bazë e të dhënave për fëmijë me nevoja të veçanta janë angazhuar 500 edukatorë special dhe që janë siguruar mjete edhe vitin tjetër shkollor.
