Një burrë në jug të Francës do të dalë para gjykatës, i akuzuar se drogonte dhe përdhunonte gra duke u shtirur si “hipnotizues” dhe duke u hedhur pilula gjumi në pije.
I akuzuari, Cyril Zatarra, 47-vjeçar mësues vallëzimi dhe hipnoterapeut autodidakt, dyshohet se ka përdhunuar 14 gra gjatë një periudhe dhjetëvjeçare, ndërsa akuzohet gjithashtu se ka filmuar fshehurazi 20 gra të tjera. Ai ndodhet në paraburgim që prej vitit 2021 dhe ka pranuar 10 nga akuzat për përdhunim.
Gjyqi po zhvillohet me dyer të mbyllura në qytetin Aix-en-Provence, pas kërkesës së njërit prej viktimave të dyshuara, dhe pritet të zgjasë të paktën dy javë. Disa viktima të tjera kishin kërkuar që procesi të ishte publik, duke deklaruar se dëshironin që zërat e tyre të dëgjoheshin.
Si vepronte Zatarra
Sipas hetimeve policore, Zatarra u hidhte grave qetësues dhe pilula gjumi në pije përpara se t’i sulmonte seksualisht. Viktimat ishin shpesh gra me të cilat kishte marrëdhënie miqësore ose sentimentale.
Gjatë kontrollit, hetuesit gjetën foto dhe video në kompjuterin e tij që tregonin gratë në gjendje letargjie gjatë akteve seksuale. Një nga viktimat, e cila e denoncoi në vitin 2019 pas një seance hipnoze, deklaroi se kishte pirë pak verë që ai i kishte ofruar dhe më pas u zgjua me kujtime të copëzuara përdhunimi dhe të vjellash. ADN-ja e të akuzuarit u gjet nën thonjtë dhe në të brendshmet e saj, ndërsa analizat toksikologjike treguan praninë e substancave të fuqishme hipnotike në organizmin e saj.
Në hijen e çështjes Pelicot
Gjyqi i Zatarrës zhvillohet pak kohë pas rastit tronditës të Dominique Pelicot, i cili u dënua me 20 vjet burg, pasi drogte dhe përdhunonte ish-bashkëshorten e tij, Gisèle, duke ftuar gjithashtu dhjetëra burra të panjohur ta abuzonin për gati një dekadë.
