Kryeministri nuk do ta shkarkojë sekretarin e përgjithshëm, Dragi Rashkovski e as nuk planifikon të kërkojë dorëheqje nga ai, pas skandalit me audio incizimin e publikuar në lidhje me tenderin për pajisje radari. Për këtë incizim, opozita akuzoi se bëhet fjalë për kurdisje, që tenderin ta fitojë kompania italiane, Leonardo, gjë për të cilën Zaev pohon se bëhet fjalë për marrëveshje të nënshkruar nga qeveria e mëparshme. Për pjesën ku Rashkovski përmend “Letter of award”, Zaev thotë se nuk bëhet fjalë për provizion por për konfirmim se dikush e ka fituar punën.
“Duke e ditur tërë lëndën me gjithë aspektet, “Leonardo will win”, për shkak se aspektet juridike tregonin kush ka fituar, Leonardo tashmë ishte zgjedhur nga drejtori i atëhershëm Popovski. Bëhet fjalë për tender që ka mbaruar që në vitin 2016, por assesi institucionet të binden që të nënshkruajnë dhe të fillojnë implementimin. E gjithë kjo ishte publike, u shpjegua në mënyrë të detajuar dhe besoj se do të ketë hetime dhe procedura penale”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Edhe pse në të kaluarën kryeministri paralajmëronte se do të kërkojë përgjegjësi nga secili funksionarë që ka treguar arrogancë, megjithatë për Rashkovskin tha se nuk ka qenë arrogant për shkak se ka kërkuar falje.
“Do me thënë, unë nuk shoh arrogancë nga një njeri që publikisht kërkon falje dhe thotë kërkoj falje deri në qiell. Absolutisht i konfirmoj të gjitha aspektet, për shkak se, a është ai sekretar i përgjithshëm ose nënkryetar i qeverisë, merr shpesh instruksione nga unë që si qeveri të përshpejtojë proceset. Sot tashmë këshilltari im për politikë të jashtme, Dane Talleski është takuar me ambasadorin Karllo Romeo, personalisht do të dërgojë letër për të kërkuar falje, për shkak se kur dëgjon dikën si flet ndërsa është përfaqësues i lartë i Qeverisë, është ndjenjë e dhimbshme”, tha Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Qeveria nuk do të padisë asnjë gazetar ose portal që ka publikuar lajmin dhe videon. Megjithatë, shtoi se si çdo person fizik, ashtu edhe Rashkovski ka të drejtë ta mbrojë kredibilitetin e tij.
“Së pari bëhet fjalë për nder dhe dinjitet. Ne jemi qeveri transparente dhe duam mediume kritike. Por, nuk mundeni dikë të bëni sallatë kur të doni dhe si të doni, si person fizik. Qeveria nuk do të dorëzojë padi penale. Puna jonë nuk është të padisim gazetarë dhe media. Por secili individ, çdo person fizik ka të drejtë ta mbrojë dinjitetin e tij”, u shpreh kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Zaev shtoi se do të ketë hetim nga autoritetet kompetente për këtë çështje, ndërsa për secilin që do të dëshmohet se ka ndonjë përgjegjësi, do të përgjigjet.
Dje Rashkovski prezantoi dokumente dhe prova në mbrojtje të tij. Tha se marrëveshja për sistemin për nevojat e fluturimeve është bërë nga pushteti paraprak, por megjithatë për 15% shpërblim që përmendet në audio incizimin nuk ka përgjigje. Njëkohësisht ai deklaroi se nuk ka pasur favorizim të kompanisë italiane Leonardo. Paralajmëroi padi për portale dhe gazetarë, por edhe për Ivanka Vasillevskën nga VMRO-DPMNE-ja e cili disa dit me radhë mban konferenca për media prej ku kërkon që Prokuroria të reagojë për rastin me Rashkovskin.
Njëkohësisht Zaev deklaroi se në seancën qeveritare në javën e ardhshme si pikë e rendit të ditës do të vendoset rekonstruimi i paralajmëruar që duhet të përfshijë drejtorët. Për emra do të bisedohet të martën, ndërsa do të përfshihen 20-25 drejtorë në institucionet qendrore në nivel shtetëror.
Përgatiti: Svetllana Unkovska

