Dy imazhe të publikuara nga transmetuesi shtetëror rus RT tregojnë një helikopter afër një anijeje që duket të jetë Marinera, anije cisternë e naftës nga Rusia.
Karakteristikat e dukshme në anije në imazhe, duke përfshirë pozicionin e dritares dhe ngjyrën e bardhë dhe të gjelbër të punimeve metalike, janë në përputhje me imazhet e Marineras që janë në dispozicion publikisht.
Mediat amerikane kanë raportuar se SHBA-ja ka kapur të mërkurën cisternën e naftës me flamur rus, e lidhur me Venezuelën.
Komanda Evropiane e SHBA-së, thotë se Departamenti i Drejtësisë dhe Sigurisë Kombëtare i SHBA-së ka “njoftuar sot sekuestrimin e M/V Bella 1 për shkelje të sanksioneve të SHBA-së”.
“Anija u sekuestrua në Atlantikun e Veriut në përputhje me një urdhër arresti të lëshuar nga një gjykatë federale amerikane, pasi u gjurmua nga USCGC Munro”, thuhet në një postim në X.
Anija raportohet se është ndjekur për më shumë se dy javë nëpër Oqeanin Atlantik nga forcat amerikane, ka raportuar Reuters me burime të mërkurën.
Cisterna, e njohur më parë si Bella 1 dhe tani e regjistruar si Marinera nën flamurin rus, ka shpëtuar nga një bllokadë detare dhe përpjekje nga Garda Bregdetare e SHBA-së për t’u ndaluar pranë Venezuelës në dhjetor.
Më herët u raportua se Moska ka dërguar në det një nënmarins dhe mjete tjera luftarake për të shoqëruar cisternën dhe për të parandaluar kapjen e saj nga forcat amerikane.
Tankeri ka kaluar nën flamurin rus pas ndryshimit të emrit, duke pretenduar kështu mbrojtjen e juridiksionit rus sipas së drejtës detare ndërkombëtare, që mund ta vështirësojë ndalimin e drejtpërdrejtë nga SHBA-ja. Incidenti mund të rrisë tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
