Raporti i OKB-së: Rusia ka kryer torturë dhe krime lufte në Ukrainë

TË FUNDIT

Rusia ka kryer shkelje në shkallë të gjerë të të drejtave ndërkombëtare të njeriut dhe normave humanitare, që prej nisjes së pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt 2022. Disa prej këtyre shkeljeve përbëjnë krime lufte, u tha në raportin e publikuar nga Komisioni i pavarur hetimor ndërkombëtar, që mbështetet nga OKB.

Raporti tha se shkeljet përfshijnë vrasje të qëllimshme të civilëve të paarmatosur – që paraqesin krime lufte – por edhe tortura, ndalime të paligjshme, përdhunime dhe forma të tjera të dhunës seksuale dhe dëbime të dhunshme të fëmijëve ukrainas në Rusi nga zonat nën kontrollin e Moskës.

Komisioni po ashtu tha se vala e sulmeve ruse në shkallë të gjerë ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës që nga tetori i kaluar, ka bërë që miliona persona në Ukrainë të mbesin pa rrymë apo ngrohje në periudha të gjata kohore gjatë dimrit. Kjo sipas këtij komisioni mund të përbëjë krim kundër njerëzimit. Në raportin e komisionit u tha se sulmet ndaj infrastrukturës duhet të hetohen më tej.

Komisioni, që ka mbështetjen e Kombeve të Bashkuara, përbëhet nga tre ekspertë të pavarur të të drejtave të njeriut. Ky komision u themelua gjatë një debati urgjent që u mbajt pas nisjes së pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës.

Raporti bazohet në qindra intervista, imazhe satelitore dhe vizita në qendrat e ndalimit dhe varreza. Aty përmendet se përdorimi i armëve shpërthyese nga forcat ruse në zonat e populluara është një prej shkaktarëve kryesorë të viktimave civile, që ka treguar “një mospërfillje ndaj dëmtimit të civilëve dhe shkaktimit të vuajtjeve”.