Ramushi “shpullë” Blerim Shalës

TË FUNDIT

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një reagimi për media ka demantuar ish nënkryetarin e tij Blerim Shala, duke thënë se nuk e kishte autorizuar askënd, e as Blerim Shalën, për të diskutuar për koalicionin me PDK-ën, në kohën kur kishte dështuar koalicioni i VLAN-it për formimin e Qeverisë.

“Për hir të informimit të drejtë të qytetarëve të Kosovës, strukturave dhe anëtarësisë së AAK-së, deklaroj se që nga dita e krijimit të koalicionit LAN, e pastaj VLAN, e deri në takimin e fundit të këtij koalicioni, asnjë zyrtar i Aleancës nuk ka patur asnjë autorizim të komunikojë, negociojë apo të diskutojë çështjen e mundësisë së koalicionit me PDK-në me asnjë zyrtar të PDK-së apo të tjerë. Asnjë autorizim nga unë apo Kryesia e AAK-së nuk ka pasur as Blerim Shala, që në atë kohë ishte nënkryetar i AAK-së”, thuhet në këtë reagim.

Madje Haradinaj thotë se si kryetar i AAK-së, as që ka qenë në dijeni që takime të karakterit të tillë të kenë ndodhur.

“Jam në dijeni vetëm për kontakte të z. Shala me PDK-në, pas prishjes së koalicionit VLAN, por në asnjë mënyrë gjatë koalicionit VLAN”, përfundon deklarata e kryetarit Haradinaj.

Ndryshe, ish-Nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala, ka daklaruar se Ramush Haradinaj e kishte autorizuar për të folur me PDK-në në kohën kur kishte dështuar koalicioni i VLAN-it për formimin e Qeverisë./21MEDIA