Drejtori i ngrohtores “Shkup Veri”, Kushtrim Ramdani, i ftuar në emisionin “10 minuta”, tha se drejtori i ESM-së, Vasko Kovaçevski, ia ka mbyllur telefonin. Rmadani tha se Kovaçevski ia ka mbyllur telefonin për çështje hatër mbetjeje, sepse ai nuk e ka njoftuar për ndezjen e ngrohtores, ku sipas Ramdanit, Kovaçevski dhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, duhet të vinin ditën e ndezjes dhe të fotografoheshin me helmeta për të treguar se “kushedi se çfarë kanë arritur.”
“Kontakti im i fundit me Vasko Kovaçevskin, ka qenë kur ai ma mbylli telefonin javën e kaluar. Më vonë mora në telefon një këshilltare të tijën, ku ajo m’u përgjigj: “kush të ka thënë ty të lëshosh ngrohtoren më 4-5 tetor”?. Në bazë te rregullores së energjetikës rezulton se prej 1 tetor deri më 15 tetor, nëse temperatura për ditën që vjen është nën 12 gradë Celsius, atëherë ngrohtorja mund të ndizet edhe para 15 tetorit. Me Kovaçevskin nuk kam arritur më të kontaktoj sepse ma mbylli telefonin, se ka pasur hatër mbetje, ngaqë unë nuk paskam pyetur dhe ua paskam prishur eventin atij dhe ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshit që të vinin në ngrohtore dhe të fotografoheshin me helmeta ditën e ndezjes së ngrohtores, për të treguar se kushedi se çfarë kishin arritur të bënin”, tha Ramdani.
