Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama priti mëngjesin e kësaj të shtune në Kryeministri presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
Presidenti Macron ndodhet në Shqipëri për një vizitë zyrtare më 17 maj, pas pjesëmarrjes së tij një ditë më parë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, të mbajtur në Tiranë.
Kjo është vizita e tij e dytë në Shqipëri brenda një periudhe të shkurtër kohe, por e para që e shoqëron edhe bashkëshortja e tij, Brigitte Macron.
Të dy liderët do të marrin pjesë në forumin ndërkombëtar “Iniciativa e Investimeve të së Ardhmes”, ku të pranishëm do të jenë edhe dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, dhe ish-kryeministri italian, Matteo Renzi.
Një ditë më parë, pas përfundimit të samitit, presidenti Macron dhe kryeministri Rama inauguruan shkollën prestigjioze franceze të kodimit “Ecole 42”, e dedikuar për zhvillimin e teknologjisë dhe inovacionit.
Në këtë kuadër, u nënshkrua edhe marrëveshja e bashkëpunimit Shqipëri–Francë për inovacionin, nga ministrat përkatës të dy vendeve.
Në fushën e mbrojtjes, ministri francez Sébastien Lecornu firmosi një marrëveshje teknike për blerjen nga Shqipëria të një sistemi vëzhgimi ajror nga një kontraktor industrial francez.
Në nder të delegacionit francez, kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama, shtruan një darkë zyrtare në Pallatin e Brigadave.
