Rama: Presidentja Osmani u kërcënua për 2 vite nga Prokuroria në Hagë

TË FUNDIT

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë fjalës së tij në  promovimin e librit “Kur heshtja flet” nga Prof. Dr. Ahmet Shala ka deklaruar se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është “kërcënuar” për dy vite nga Prokuroria e Specializuar në Hagë.

Sipas tij këto kërcënime erdhën pasi Osmani nuk lejoi që prokurorët të kërkonin provat e krimit kundër njerëzimit edhe në zyrën e Presidentes në Prishtinë. Rama i cilësoi kërkimet e provave më Presidencë si një dhunim i institucionit.

“Tani, mund të jetë sekret shtetëror këtu në Kosovë, por nuk është sekret shtetëror edhe për mua që presidentja e Kosovës është kërcënuar. Dhe këtë gjë nuk e dini sepse nuk është thënë asnjëherë, por po e them sot.

Është kërcënuar sepse nuk ka lejuar që prokurorët të dhunonin zyrën e institucionit të Presidentit të Kosovës, se me demek do të kërkonin edhe aty provat e krimeve kundër njerëzimit, gjë që natyrisht do ta vendoste Kosovën në sytë e botës si një shtet ku deri në zyrën e Presidentit gjenden prova për krime kundër njerëzimit.

Dhe kërcënimi i presidentes ka zgjatur dy vjet. Por, për nderin e saj dhe nderin e Kosovës, ajo e ka ndaluar një gjë të tillë”, tha Rama.