Rama: Për vitin jubilar të Pavarësisë, abetare të unifikuar mes Kosovës dhe Shqipërisë

TË FUNDIT

Ka filluar mbledhja e përbashkët qeveritare mes Shqipërisë dhe Kosovës që po mbahet në Elbasan.

Në fjalimin e tij, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar se mes vendimeve që janë marrë, që tashmë ka kaluar në Qeverinë e Shqipërisë, është edhe përpilimi i abetares së unifikuar të gjuhës shqipe që do të përdoret në Shqipëri dhe Kosovës, por që bashkërisht, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti do ta shtrijnë edhe në trojet shqiptare.

Rama tha se abetarja e unifikuar do të jetë unike për nga cilësia dhe nga pamja e jashtme, për siç tha, për të pasur një vend të veçantë jo vetëm në arsim, por edhe në bibliotekat e cilitdo shqiptar.

Kjo do të jetë për nder të vitit jubilar të Pavarësisë së Shqipërisë – 28 Nëntorit që do të shënohet vitin e ardhshëm.

“Ne e kemi dakordsuar në Qeverinë tonë, që vitin e ardhshëm, që është edhe një vit jubilar për Pavarësinë tonë, të kemi gati abetaren e unifikuar. Abetarja është një libër themelor për këdo që hyn në rrugën e arsimit dhe prej shumë vitesh, është një libër, i cili bazuar edhe në ligjin që kemi në fuqi, është trajtuar si një tekst me shumë alternativ. Ajo që ne jemi dakordsuar, është që ne të kemi vetëm një abetare dhe me shumë kënaqësi dua që të ndajmë së bashku këtë objektiv, në mënyrë që nëse biem dakord sot, të kemi një abetare të gjuhës shqipe në Shqipëri dhe Kosovë dhe pastaj së bashku, këtë abetare unike të gjuhës shqipe ta kemi në të gjithë trojet apo në të gjitha hapësirat ku fëmijët mësojnë të lexojnë dhe shkruajnë në gjuhën shqipe. Natyrisht, do të na duhet një punë cilësore për të bërë, si të thuash, një libër të shenjtë laik të të gjithë shqiptarëve që të mbetet si objekt i çmuar në të gjitha bibliotekat e atyre që fillimisht si fëmijë e marrin abetaren për të mësuar dhe pastaj e kanë aty si kujtim nga viti i parë i shkollës. Kjo do të thotë se do të bëjmë edhe një libër të veçantë edhe në pamje, me një vlerë të caktuar”, tha Rama, transmeton TV21.

Kujtojmë se Pavarësia e Shqipërisë është shpallur më 28 nëntor të vitit 1912 dhe vitin e ardhshëm, në vitin 2022 bëhen 110 vjet nga shpallja e Shqipërisë si shtet i pavarur dhe sovran. Në trojet shqiptare, kjo datë shënohet edhe si Dita e Flamurit Shqiptar./TV21