Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një shkrim në Fejsbuk shkroi se falë zbatimit të dozës së parë të vaksinës kundër Kovid-19, 369 punonjës shëndetësorë tani janë më të mbrojtur nga virusi.
Ai, gjithashtu, paralajmëroi se javë pas jave vazhdon procesi i vaksinimit dhe se dinamika gradualisht rritet.
“Deri më tani 369 mjekë dhe infermierë të vijës së parë të betejës me Kovid-19 janë sot më të mbrojtur nga virusi i rrezikshëm, pas kryerjes së dozës së parë të vaksinës antikovid në Qendrën e Vaksinimit në stadiumin ‘Air Albania’, në gjashtë ditët e para të vaksinimit, teksa procesi do të vijojë edhe sot, pa u ndalur. Javë pas jave rrisim gradualisht ritmin sipas planit të vaksinimit”, thuhet në statusin e Ramës në Fejsbuk, që përfundon me moton e vaksinimit “Shqipëria Buzëqesh”.
Pasi arritën 975 dozat e para të vaksinës “Fajzer”,Qeveria shqiptare njoftoi se janë siguruar vaksina për 800.000 qytetarët ose 1,6 milionë doza, përmes marrëveshjes direkte me këtë kompani amerikane dhe përmes mekanizmit Kovaks.
Sipas marrëveshjes me “Fajzer”, ditët në vijim duhet të arrijnë 10.750 doza vaksina, ndërsa pastaj ato do të arrijnë sipas kalendarit që janë marrë vesh.
Në ndërkohë, siç informoi ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, vazhdojnë bisedimet për sigurimin e më shumë sasive të vaksinave.
Ministrja sqaroi se në vend do të bëhet vaksinim i kombinuar për grupet e rrezikuara, sipas planit kombëtar për vaksinim antikovid.
“Në fazën e parë do të përfshihen rreth pesë mijë punonjës shëndetësorë, ndërsa pas tyre do të vijojë kalendar i kombinuar për të moshuarit, pastaj më të moshuarit se 75 vjet dhe kështu me të gjitha grupet, siç është definuar në planin tonë për vaksinim”, deklaroi Manastirliu.
Përndryshe, pas analizës së gjendjes epidemiologjike në vend gjatë dy javëve të fundit, për shkak të incidencës së rritur, Komiteti kombëtar i Ekspertëve vendosi që të mbetet në fuqi vendimi për orën policore, i cili zgjat prej orës 22 deri në orën 6, përderisa ndalesa për fluturime me Britaninë e Madhe mbetet në fuqi deri më një shkurt.
