Një ditë pas vendimit të qeverisë shqiptare për zgjedhjen e Ina Majkos si zv.ministre të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama i cili e ka vlerësuar ish-kandidaten socialiste të qarkut Vlorë si një vlerë të shtuar të Partisë Socialiste të 2030-ës, në përfaqësimin e komuniteteve e grupeve të ndryshme të interesit.
Me një postim në rrjetin social Facebook, Rama deklaron se Ina Majko, ndonëse nuk mundi të siguronte dot një karrige në Kuvendin e ri, ka spikatur në skuadrën e PS-së, ndërsa thekson se zv.minidstrja është prurja e parë, e cila sikurse paralajmëroi Rama, pritet të pasohet nga të tjera në vijim të rrugës së re që hapën zgjedhjen e 11 majit.
“Ina MAJKO është prurja e parë, ndër shumë të tjera në vijim të rrugës së re që hapi 11 maji, drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian. Ajo sapo është zgjedhur zëvendës ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pasi ka spikatur në skuadrën e 11 majit, mes atyre që edhe pse nuk ia dolën të fitonin një vend në Kuvendin e ri, ishin një vlerë e shtuar e PS2030 në përfaqësimin e komuniteteve e të grupeve të ndryshme të interesit. Ina erdhi në skuadrën tonë si një përzgjedhje nga komuniteti Rom dhe si e para përfaqësuese e këtij komuniteti në nivelin e kabinetit qeveritar në historinë e vendit, ajo do të mbulojë pikërisht çështjet e njerëzve më në nevojë të shoqërisë në fushën e Mbrojtjes Sociale. Historia e Ina Majkos është historia e një fëmije të rritur mes paragjykimesh e vështirësish të mëdha ekonomike dhe historia e një vajze të talentuar, plot energji e vendosmëri për t’ia dalë, e cila jo vetëm kreu me rezultate të larta studimet jashtë vendit dhe flet pesë gjuhë të huaja, por edhe u bë një zë i bukur i komunitetit të saj në platformat sociale. Uroj që Ina të jetë një vlerë e shtuar edhe në punën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e një mbështetje më shumë për familjet e fëmijët në nevojë”, shkruan Rama.
Ina Majko u zgjodh një ditë më parë në postin e zv.ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ina Majko, ish-kandidate e Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës, garoi në listë të hapur në zgjedhjet e 11 majit, por nuk arriti të sigurojë një vend në Kuvend.
