Policia Financiare ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Shkup ndaj një personi fizik dhe një kompanie, nën dyshimet për evazion tatimor dhe falsifikim të librave afaristë, përcjell TV21. Sipas hetimeve, pronari dhe menaxheri i kompanisë M.D., gjatë viteve 2021 dhe 2024, dyshohet se ka kryer regjistrime fiktive në kontabilitet për të përvetësuar të ardhura nga shitja e naftës dhe derivateve të saj, duke shmangur pagesën e TVSH-së, tatimit mbi fitimin dhe tatimit mbi të ardhurat personale. Autoritetet bëjnë të ditur se, përmes këtyre veprimeve, buxheti i Maqedonisë së Veriut është dëmtuar për mbi 7,2 milionë denarë, pra rreth 117 mijë euro. Rasti tashmë është në procedurë pranë Prokurorisë, e cila do të vendosë për hapat e mëtejshëm në këtë proces.
