Rama: Migrimin e shqiptarëve , do ta frenojmë siç bëri Kosova

TË FUNDIT

Përtej projektligjeve dhe rendit të ditës, Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të shmangte sot çështjen e largimit të shqiptarëve në Gjermani dhe në vende të tjera të BE-së. Kërkesa në rritje e qytetarëve shqiptarë për azil është kthyer në një debat të ashpër sot në seancën e Kuvendit.

Është hera e parë që kryeministri Edi Rama prononcohet publikisht për këtë çështje dhe lidhur me shkakun pse po largohen shqiptarët ai tha se është një keqkuptim i shfrytëzuar nga elementë kriminalë. Sipas tij bëhet fjalë për një informacion të mbërritur nga Gjermania se kërkon 45 mijë të huaj me profesione të caktuara, por kjo nevojë u keqkuptua nga njerëzit të cilët menduan se u hapën dyert për të gjithë.

Ai e quajti situatën të ngjashme me Kosovën, ku pak muaj më parë edhe aty ndodhi e njëjta gjë me qytetarët, por fluksi është frenuar. Ndërkohë që momentalisht, në situatën e Shqipërisë, ndoshta edhe më keq, ndodhet edhe Serbia.

“Pse po ikin shqiptarët? Kemi të bëjmë me një moment kur ka një keqkuptim të madh nga njëra anë i krijuar në raport me një nevojë të shpallur të Gjermanisë për rreth 45 mijë të huaj por me profesione të caktuara dhe për arsye të caktuara të ekonomisë gjermane, dhe mbi këtë keqkuptim ka hyrë në veprim elementi kriminal. Dhe mjafton të shikojmë në vendet fqinje dhe kemi të njëjtën situatë. Largimet në Kosovë të cilat ndodhën në kohë paralele, sot janë amortizuar. Çfarë ka ndodhur? Ka ndryshuar ekonomia e Kosovës brenda disa javëve? Jo! Është frenuar fluksi i stimuluar nga veprimtaritë kriminale. Ndërkohë që, po të shikojmë në rajon, kemi Serbinë që ka një trend në rritje shumë më të lartë se i yni në disa vite dhe ka një largim shumë më masiv se i yni sot që po flasim. Askush nuk e ka mohuar. Dhe është turp që këtë fakt ta lidhni me këtë qeveri. Ne nuk kemi marrë përsipër të bëjmë Shqipërinë parajsë, por ne kemi bindje të plotë se Shqipëria po shkon në drejtimin e duhur, dhe shqiptarët nuk janë dele që ju të bëni bariun. Jam absolutisht i gatshëm që bashkërisht ta presim gjykimim e shqiptarëve, kur të doni ju, në 21 qershor, apo mbas dy vjetësh,” tha Rama.