Rama: Jemi në krah të Kosovës, Serbia duhet t’i ndalojë manovrat teatrale ushtarake

TË FUNDIT

Sot është dita e tetë qëkur rrugët e dy pikave kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë janë bllokuar.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një vizitë në Kosovë dënoi sjelljen e Serbisë karshi vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet lidhur me targat.
Kryeministri shqiptar po ashtu ka dënuar incidentet e djegieve të qendrave të regjistrimit të veturave në veri të Kosovës.

“Sot jemi dëshmitarë të manovrave teatrale ushtarake të Serbisë në kufirin me shtetin sovran të Kosovës. Ato manovra nuk mbrojnë qytetarët serbë në veriun e Kosovës, siç pretendohet nga udhëheqja e Beogradit zyrtar”, tha Rama.

Rama u pyet nga gazetarët së a ka biseduar me Vuçiqin për të negociuar rreth zhvillimeve në veri, por kryeministri shqiptar tha se këtu s’ka çfarë të negociohet, pasi e drejta është me Kosovën dhe se Shqipëria është në krahë të Kosovës.

“Këtu nuk ka asgjë për të ndërmjetësuar. Këtu jemi në kushte kur e drejta është me Kosovën dhe kaq. Dhe kjo është shumë e qartë. Ne jemi në krahë të Kosovës, siç është i gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe siç thash, leximi i çuarjes i njësive speciale si një arsye për të bërë teatër me helikopter e me aeroplan në Serbi, është leximi më i gabuar”, shtoi Rama.

E kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se vazhdimisht janë në kontakt me KFOR-in dhe me të gjitha institucionet ndërkombëtare.

“Sot në mëngjes kam pritur në takim komandantin e përgjithshëm të KFOR-it gjeneralin Federiqi dhe bashkë me ministrin e brendshëm Xhelal Sveqla jemi në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet ndërkombëtare në Kosovë, dhe përfaqësitë e tyre diplomatike, por edhe mekanizmat e tyre të sigurisë, njësia speciale e Republikës së Kosovës nuk është në Bërnjak dhe në Jarinje në mënyrë që ne ti kënaqemi dhe ti gëzohemi kësaj situate, ata janë aty me detyrë, dhe detyra e tyre është që t’i mbrojnë pikat kufitare dhe policat kufitar”, deklaroi Kurti.

Ndryshe rrugët drejt vendkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë bllokuar nga serbë lokalë me kamionë e mjete të tjera të rënda në shenjë proteste ndaj vendimit për reciprocitet lidhur me targat e automjeteve.