Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Presidenti Ilir Meta kanë reaguar për situatën në veri të Kosovës, pas vendosjes së masës së reciprocitetit për targat e makinave. Rama në postimin e tij në Twitter ka shkruar: Kosova të dialogojë, Serbia të bashkëpunojë dhe BE të ndërmjetësojë. “Kosova me të drejtë e ka ngritur këtë çështje. Tani kur problemi do të zgjidhet dhe reciprociteti i targave do të garantohet, duke e shmangur bumerangun nga ngrirja e konfliktit në këtë moment, siç ka ndodhur me doganën prej 100 për qind”, ka shkruar Rama. Ndërkaq, përmes një statusi në Facebook presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka shkruar se Ruajtja e sovranitetit shtetëror dhe e integritetit territorial të Republikës së Kosovës është faktor kyç për konsolidimin e paqes, sigurisë, stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë në rajon dhe baza e ndërtimit të marrëdhënieve të qëndrueshme me Serbinë. Ai apelon tek palët që t’i ulin tensionet dhe ta vazhdojnë dialogun. “Në këtë frymë palët duhet të kapërcejnë tensionet, të vijojnë dialogun dhe t’u përmbahen detyrimeve, që rrjedhin nga marrëveshjet e arritura nga të dy vendet me ndërmjetësimin e BE dhe SHBA”, e përfundon reagimin e tij Meta.
