Parlamenti Evropian ka miratuar një hap të rëndësishëm drejt krijimit të euros dixhitale, duke hapur rrugën për negociatat përfundimtare me vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Vendimi nuk përfaqëson miratimin final të projektit, por konsiderohet një avancim i madh në procesin ligjor që synon krijimin e një versioni dixhital të euros.
Sipas draftit të miratuar, një nga prioritetet kryesore mbetet mbrojtja e privatësisë së qytetarëve. Parashikohet që transaksionet të mos lidhen drejtpërdrejt me identitetin e përdoruesve nga Banka Qendrore Evropiane dhe bankat qendrore kombëtare.
Gjithashtu, para se euroja dixhitale të vihet në përdorim, do të zhvillohen teste dhe kontrolle të sigurisë kibernetike, për të garantuar funksionimin e sistemit.
Projekti parashikon që euroja dixhitale të përdoret krahas parasë cash dhe të ketë vlefshmëri në të gjithë Eurozonën, duke u ofruar qytetarëve një mënyrë shtesë pagese përveç kartëmonedhave dhe monedhave fizike.
Hapi i radhës është votimi në seancën plenare të Parlamentit Evropian, përpara nisjes së negociatave përfundimtare me shtetet anëtare të BE-së.
