Radev i filloi konsultimet për formim të Qeverisë së re bullgare me “Ka një popull të tillë”

TË FUNDIT

Presidenti bullgar, Rumen Radev, në fillim të konsultimeve me partinë që fitoi në zgjedhjet parlamentare “Ka një popull të tillë” e përshëndet vendimin e tyre për hapje të dialogut me partitë e tjera.

Siç transmeton korrespondenti i MIA-s nga Sofja, Radev konsideron se duhet të vazhdohet me procesin e përforcimit të shtetësisë dhe sigurimit të kornizës së paraparë stabile për ekonominë, për çështjet e rëndësishme sociale, për zgjidhjen e çështjeve urgjente, si dhe për ribalancin e buxhetit të Bullgarisë.

Zëvendëskryetari i “Ka një popull të tillë”, Tashko Jordanov deklaroi se partia e tij do të propozojë qeveri.

“Të gjithë pranojmë se është përgjegjësi e jona si fitues të zgjedhjeve parlamentare. Kryetari Trifonov menjëherë ditën pas zgjedhjeve, tha se jemi të vetëdijshëm për këtë përgjegjësi dhe do ta ndërmarrim me vetëdije të qartë për atë se çka kërkohet prej nesh. Jemi të vetëdijshëm se ne duhet të tentojmë të bëjmë kabinet dhe Kuvendi nacional të punojë”, tha Jordanov.

Ai shfaqi shpresë se nëse subjektet politike tejkalojnë disa interesa të veta partiake dhe pjesë të programeve, që nuk janë në pajtim me ato të tjerëve, ata do të mund të formojnë shumicë të mjaftueshme stabile parlamentare për ta zgjedhur qeverinë e re të Bullgarisë.