“Ndryshojmë” ngre alarm për buxhetin social! Alishan: Rrezikohen pagesat dhe shërbimet sociale

TË FUNDIT

Koalicioni “Ndryshojmë” shpreh shqetësim se mjetet e parapara me ribalancin e buxhetit nuk do të jenë të mjaftueshme për mbrojtjen sociale deri në fund të vitit, duke theksuar se edhe pse Ministria e Financave ka shtuar 1,5 miliardë denarë, sipas analizës së tyre mungojnë rreth 3 miliardë denarë dhe pagesat e ndihmave sociale tashmë po vonohen për përfituesit.

“Në pikën e dytë thuhet se do të shtohen 150 milionë denarë për organizatat që punësojnë persona me aftësi të kufizuara. Megjithatë, këto janë mjete që i përkasin vitit 2025 dhe që Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë ende nuk i ka shlyer. Më tej, në pikën e tretë thuhet se do të shtohen edhe 180 milionë denarë për shërbimet sociale, por sipas analizës sonë të plotë rezulton se në këtë sektor ka një mungesë prej 500 milionë denarësh”, tha Suarret Alishan.

Alishan po ashtu shprehu shqetësimin se nuk do të realizohet kërkesa për rikthimin e orëve të asistencës personale, të cilat sipas tij janë shkurtuar në mënyrë të paligjshme. Përkundrazi, mendojnë se orët do të vazhdojnë të reduktohen dhe se ekziston rreziku që shërbimi i asistencës personale të shuhet gradualisht.

“Për më tepër, nuk shohim në buxhet që të parashikohen fonde për personat që janë të siguruar përmes Ministrisë së Politikës Sociale dhe Demografisë dhe Rinisë, ku nuk ka fonde të parashikuara për muajin dhjetor. Por pas të gjithë analizës, kuptojmë se për muajin nëntor dhe për muajin dhjetor nuk do të kemi sigurim shëndetësor, i cili është një e drejtë themelore e jona si përfitues të sistemit social”, deklaroi Suarret Alishan.

Përndryshe në Komisionin për Financa dhe buxhet në Kuvend po vazhdon debati për amendamentet për rebalancin e buxhetit 2026, i cili sipas Rregullores së Kuvendit, mund të zgjasë më së shumti dhjetë ditë pune, pas së cilës propozim-rebalanci do të gjendet në seancë plenare.