Radev dhe Borisov lëvdojnë propozimin francez! Pritet edhe protokolli dypalësh, brenda të cilit janë kërkesat bullgare

TË FUNDIT


Propozimi francez është gjëja më e mirë që e kemi marrë deri më tani, vlerësoi presidenti bullgar Rumen Radev. Ai i porositi politikanët bullgarë që të mos shpejtojnë me festimin e fitores historike sepse siç tha, pjesë e rëndësishme e këtij procesi është protokolli dypalësh me Maqedoninë i cili do të inkuadrohej brenda kornizës negociuese, ndërsa brenda tij Radev i vendosi edhe kërkesat bullgare.


“Ndryshimi i Kushtetutës nuk është i fundit, siç pohojnë disa, por hapi i parë drejt eurointegrimit. Propozimi francez si Kornizë negociuese. Megjithatë, mbrojtja e vërtetë dhe esenciale e interesave bullgare, trashëgimia jonë kulturore dhe historike, ndryshimi i librave mësimore dhe tabelave, rehabilitimi i viktimave, përmendoret dhe në përgjithësi ndërprerja e procesit të debullgarizimit, varet prej përmbajtjes së Protokollit dypalësh”, tha Rumen Radev, president i Bullgarisë.


Njëkohësisht edhe njeriu i parë i GERB-it, Bojko Borisov tha se propozimi francez është i mirë, por e akuzoi Qeverinë aktuale se nuk ka bërë asgjë lidhur me Protokollin i cili ende nuk është nënshkruar. Ai apeloi që menjëherë të mblidhet Këshilli i Ministrave dhe të jepet propozim i cili do të dërgohet në Kuvend. Petkovi të inkurajohet dhe të dorëzojë në Kuvend një propozim për Maqedoninë, e ne do ta përkrahim, porositi Borisovi.


“Nëse merr guxim, do të ketë 59 deputetë, mbështetje për të dhënë dritë jeshile për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Le ta thërrasë menjëherë Këshillin e Ministrave, le të japë një propozim i cili do të vijë në Kuvend”, theksoi Bojko Borisov, kryetar i GERB-it.


Eurokomisari Oliver Varheji në profilin e tij në “Tuiter” e përshëndeti vendimin e këtillë të Borisovit.


“Falënderojmë liderin e opozitares GERB, Bojko Borisov, për marrjen e një vendimi historik për Evropën dhe për pranimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut bazuar në propozimin francez. Presim që Qeveria ta dorëzojë propozimin e nevojshëm në Parlament sot, në mënyrë që Evropa të mund të ecë përpara”, deklaroi Oliver Varheji, eurokomisar.


Tani për tani as nga Ministria e Jashtme, e as nga Qeveria nuk dolën me koment lidhur me atë se cili do të jetë qëndrimi i vendit tonë.