Dorëheqjet në Qytetin e Shkupit as sot nuk kanë të ndalur. Kuadrot e VMRO-DPMNE-së të emëruar si drejtorë në ndërmarrjet publike të Qytetit, nuk janë të kënaqur nga puna dhe nga bashkëpunimi me kryetaren Danella Arsovska. Dorëheqjet sot i kanë bërë të ditura edhe drejtori i NP “Parkingjet e Qytetit”, Bojan Hristovski dhe drejtori i deponisë së Drisllës, Jane Micevski.
“Për shkak të mosinteresimit të personit të parë të qytetit për nevojat e Shkupit dhe parkingjeve të qytetit, si dhe për shkak të zvogëlimit drastik të mbështetjes së projekteve që sot po i realizojmë me mjetet tona, parashtroj dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e ushtruesit të detyrës së drejtorit të N.P. Parkingu i Qytetit”, tha Bojan Hristov, ish-drejtor i N.P. “Parkingu i Qytetit”.
“Si drejtor i deponisë së Drislës dua të theksoj se në këtë dhjetëmujor pasi kam marrë në dorë ndërmarrjen kam bërë stabilizimin dhe konsolidimin e saj dhe kam filluar një proces investimesh që synojnë përmirësimin e punës së të njëjtit. Por çdo sukses individual i çdo ndërmarrje nuk është i plotë nëse nuk merr mbështetje nga kolektiviteti në të cilin duhet të funksionojë Drislla, që është Qyteti dhe personi i parë i tij”, pohoi Jane Miceski, ish-drejtor i Drisllës.
E para e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska thotë se ajo personalisht ju ka kërkuar që të largohen ose ajo do i shkarkojë gjithsesi.
“Për shkak të punës joadekuate, mosdhënies së rezultateve dhe mosrespektimit të udhëzimeve të Qytetit të Shkupit, drejtorët kanë marrë ofertë për dorëheqje ose shkarkim. Qyteti i Shkupit është qyteti i të gjithë Shkupit, andaj të gjithë bartësit e këtyre posteve përgjegjëse drejtuese në qytet janë të obliguar t’u raportojnë qytetarëve, e jo kryetarëve të partive”, pohoi Danella Arsovska, kryetare e Qytetit të Shkupit.
Të kundërtën e thonë nga VMRO-DPMNE. Deklarojnë se janë të pakënaqur me menaxhinin e qytetit nga Arsovska.
“Si parti që e ka mbështetur projektin për Shkup modern dhe që mbështeti kandidaturën e pavarur të Arsovskës, sinqerisht duke besuar në këtë koncept, mund të them se nuk jemi të kënaqur nga puna e deritanishme të kryetares dhe vlerësojmë se pak është realizuar, ndërsa mundet dhe duhet të arrihen shumë rezultatet që i meritojnë shkupjanët”, pohoi Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së.
Derisa drejtorët e VMRO-DPMNE-së u dorëheqën një nga një, Aleanca për Shqiptarët vazhdojnë të mbajë postet në Qytetin e Shkupit, edhe përkundër përplasjeve që patën me Arsovskën me shkarkimin e drejtorit të NP “Higjienës Komunale”, Zudi Koka.
Zëdhënësi i kësaj partie, Naim Bajrami thotë se këtë cështje do ta diskutojnë në Kuvendin e partisë që do të mbahet të shtunën.
“Jemi në një situatë pak më të ndërlikuar brenda partiake, kemi sfidat tona partiake dhe jemi më shumë të fokusuar te kjo gjë. Sigurisht që ne e kemi diskutuar dhe pas ditës së Kuvendit ne do të dalim edhe me vendimin edhe për atë pjesë. Ne nuk i ikim përgjegjësisë aspak”, tha Naim bajrami, zëdhënës i ASH-së.
Dorëheqje nga postet e drejtorit dhe dhanë edhe drejtori i NP Ujësjellësi dhe Kanalizime si dhe sekretari gjeneral i Qytetit të Shkupit që vijnë nga VMRO-DPMNE.
