Qytetarët po ngulfaten në ajrin e ndotur! Drejtori i Inspektoratit thotë se qytetarët janë fajtorë për ndotjen

TË FUNDIT

Disa ditë me radhë në disa qytete ndotja e ajrit është për disa herë mbi nivelin e lejuar, ndërsa kreu i Inspektoratit për mjedisin jetësor, Sreten Stojkovski tha se arsyet kryesore për ndotjen enorme janë vetë qytetarët. Tejkalim të pragut ka në Strumicë dhe Shkup ku gjatë këtyre ditëve inspektorët kanë kryer kontrolle të ndotësve të mundshme por te kompanitë që me punën e tyre ndikojnë në cilësinë e ajrit nuk u konstatua se janë shkaktuesit kryesorë.

“Analizat e ekzemplareve të ajrit tregojnë se qytetarët me djegien e të gjitha llojeve të mbeturinave, e më pas sektori i ndërtimit, të mos neglizhojmë se është edhe industria që shkakton ndotje, megjithatë  një pjesë e madhe është brenda vlerave të caktuara kur bëhet fjalë për emetimet e grimcave dhe ndotësve të tjerë në ajër”, tha Sreten Stojkovski, drejtor i Inspektoratit të Mjedisit Jetësor.

Por çfarë ndodh me kompanitë që njihen si ndotës të mëdhenj? Stojkovski thotë se këto ditë edhe pse punojnë me kapacitet të vogël, siç janë “Cementara” dhe “Makstil”, ndotja është ende e lartë, pas çka, konkludoi se ata nuk janë shkaktarët. Sipas tij, një pjesë e madhe e institucioneve dhe kompanive kaluan në mazut.

“Ishim në NQP, deri vitin e kaluar kanë përdorur gaz, tani përdorin mazut, në dy vende në Autokomandë dhe në “Gjorçe Petrov” një pjesë e madhe e objekteve shëndetësore kanë vazhduar të përdorin mazut. Bëjnë analiza, rezultatet në varësi të periudhës kohore janë brenda kufijve të lejuar. Kemi në disa prej tyre tejkalim të oksideve të azotit”, tha Sreten Stojkovski, drejtor i Inspektoratit të Mjedisit Jetësor.

Përkundër këtij pretendimi, kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska, në emisionin e djeshëm Click Plus në TV21 tha se kanë dorëzuar kallëzim penal për “Usje” për shkak të ndotjes.

“Ne jemi të vetmit si Qytet i Shkupit që kemi bërë kallëzim penal kundër një ndotësi, për “Usjen” kemi bërë kallëzim penal. Të gjithë të tjerët në vend duhet të veprojnë. Pra ka ministri, ka inspektorate shtetërore, ka institucione të tjera që duhet të punojnë të gjitha bashkë dhe duhet të ketë ndëshkim”, pohoi Danella Arsovska, kryetare e Qytetit të Shkupit.

Në Shkup gjendja e ndotjes është alarmante, ndërsa këto ditë janë dhënë rekomandime për qytetarët për shkak të pranisë së shtuar të grimcave PM 10. Edhe nga Komuna Qendër thonë se ka përforcim të mbikëqyrjeve dhe kontrolleve për zbutjen e situatës. Prej atje me mesazhe për qytetarët.

“Të reduktohet përdorimi i automjeteve. Mos përdorni mbetjet, vaj makinerie të djegur, mbetje druri të llakuar dhe të lyer dhe materiale të tjera për ngrohjen e shtëpive. Druri i thatë dhe i pastër duhet të përdoret pa mbetje të tjera, ndërsa oxhaqet duhet të pastrohen rregullisht”, thonë nga komuna Qendër.

Ndotja është temë e konfliktit të ndërsjellë edhe mes partive politike. Si LSDM-ja në pushtet, ashtu edhe opozitarja VMRO-DPMNE këto ditë me akuza të ndërsjella se askush nuk ka ndërmarrë asgjë për të ulur ndotjen.